Për shumë njerëz, dita nuk nis pa një filxhan kafe. Ajo ndihmon të ndihemi më zgjuar, më energjikë dhe më të përqendruar. Por për disa persona, kafeina mund të shkaktojë një sërë shqetësimesh, edhe në sasi që të tjerët i tolerojnë pa problem.
Ndjeshmëria ndaj kafeinës ndryshon nga një person te tjetri dhe mund të ndikohet nga faktorë si gjenetika, medikamentet dhe sasia që konsumohet gjatë ditës.
1. Zemra fillon të rrahë më shpejt
Nëse pas kafesë ndieni rrahje të shpejta të zemrës, palpitacione ose një ndjesi të pazakontë në kraharor, mund të jeni veçanërisht të ndjeshëm ndaj kafeinës.
Kafeina stimulon sistemin nervor dhe mund të rrisë përkohësisht ritmin e zemrës dhe presionin e gjakut.
Nëse këto simptoma janë të forta, të përsëritura ose shoqërohen me dhimbje gjoksi, vështirësi në frymëmarrje apo marramendje të fortë, duhet kërkuar këshillë mjekësore.
2. Ndiheni nervozë, të shqetësuar ose “me dridhje”
Një tjetër shenjë tipike është ndjenja e ankthit, nervozizmi ose dridhjet e duarve pas konsumimit të kafesë.
Kjo ndodh sepse kafeina është stimulues i sistemit nervor qendror. Për disa njerëz, efekti mund të jetë shumë më i fortë dhe të shfaqet edhe pas një sasie relativisht të vogël.
3. Keni probleme me gjumin
Nëse pini kafe pasdite dhe më pas e gjeni veten duke u rrotulluar në shtrat gjatë natës, kafeina mund të jetë një nga arsyet.
Pagjumësia dhe çrregullimet e gjumit janë ndër efektet më të zakonshme të konsumit të tepërt ose të ndjeshmërisë ndaj kafeinës.
Edhe nëse arrini të flini, konsumimi i kafeinës vonë gjatë ditës mund të ndikojë në cilësinë e gjumit.
4. Stomaku nuk ndihet mirë
Kafeja mund të shkaktojë shqetësime të tretjes te disa persona. Mund të shfaqen nauze, shqetësime në stomak, urth ose diarre.
Nëse pothuajse çdo herë që pini kafe përfundoni me probleme gastrointestinale, mund të jetë një sinjal se duhet të reduktoni sasinë ose të provoni një alternativë me më pak kafeinë.
Megjithatë, jo çdo problem pas kafesë nënkupton domosdoshmërisht “intolerancë ndaj kafeinës”. Përbërës të tjerë të kafesë, qumështi apo ëmbëlsuesit mund të jenë gjithashtu përgjegjës.
5. Ju shfaqet dhimbje koke
Edhe dhimbja e kokës mund të shfaqet si pasojë e konsumit të tepërt të kafeinës. Në disa raste, ajo mund të ndodhë edhe kur një person që është mësuar të pijë kafe çdo ditë e ndërpret papritur.
Pikërisht për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që personat që duan ta reduktojnë ndjeshëm kafeinën ta bëjnë gradualisht, në vend që ta ndërpresin menjëherë.
Sa kafeinë është shumë?
Sipas FDA-së, për shumicën e të rriturve të shëndetshëm, deri në 400 miligramë kafeinë në ditëpërgjithësisht nuk shoqërohet me efekte negative. Por kjo nuk është një shifër që vlen njësoj për të gjithë. Disa njerëz mund të shfaqin simptoma me shumë më pak.
Për më tepër, kafeina nuk gjendet vetëm në kafe. Ajo mund të jetë e pranishme në çaj, pije energjike, çokollatë, disa suplemente dhe edhe në disa medikamente.
Nëse vini re se simptomat shfaqen rregullisht pas kafesë, mund të provoni të reduktoni gradualisht sasinë dhe të vëzhgoni nëse gjendja përmirësohet. Një tjetër alternativë është kafeja pa kafeinë, megjithëse edhe ajo mund të përmbajë një sasi të vogël kafeine.
Një filxhan kafe nuk është domosdoshmërisht problem. Çështja është si reagon trupi juaj ndaj saj. Nëse pas kafesë zemra ju rreh fort, ndiheni shumë të shqetësuar, keni probleme me stomakun ose nuk flini mirë, mund të jetë koha për të rishikuar sasinë që konsumoni.


