Sean “Diddy” Combs po përballet me një tjetër problem ligjor, këtë herë me vetë avokatët që e përfaqësojnë në një prej padive civile kundër tij.
Tre avokatë nga firma Sher Tremonte LLP i kanë kërkuar gjykatës federale leje për t’u tërhequr nga përfaqësimi i Diddy-t në padinë prej 100 milionë dollarësh për shpifje, duke pretenduar se reperi nuk ka paguar një pjesë të konsiderueshme të faturave ligjore.
Sipas deklaratës së avokatit Michael Tremonte, Diddy ka qenë në vonesë me pagesat për më shumë se gjashtë muaj. Avokatët pretendojnë gjithashtu se marrëdhënia profesionale është përkeqësuar dhe se komunikimi me klientin është ndërprerë.
Në dokumentet e depozituara në gjykatë thuhet se ka pasur një “prishje totale të bashkëpunimit dhe komunikimit” mes Combs dhe firmës. Avokatët pretendojnë se ai nuk është bërë i disponueshëm për komunikime të drejtpërdrejta dhe thelbësore lidhur me çështjen për më shumë se katër muaj.
Por Diddy ka një version krejt tjetër të historisë. Përmes zëdhënësit të tij, Juda Engelmayer, ai tha se ishte vetë ai që vendosi të ndryshonte avokatët, pasi sipas tij nuk do të lejonte që dikush të përfitonte prej tij duke i faturuar shërbime që nuk i kishte miratuar.
Mora vendimin të ndryshoja avokatët sepse nuk do të lejoj askënd të përfitojë prej meje duke më tarifuar më shumë dhe duke grumbulluar fatura që nuk ishin miratuar kurrë
-tha Combs.
Ai e përshkroi situatën si një çështje thjesht biznesi dhe pretendoi se debati për pagesat lidhet me tarifat që ai i konsideron të paautorizuara.
Nga ana tjetër, avokati Tremonte i ka kundërshtuar këto pretendime. Ai ka deklaruar se firma po kërkon të tërhiqet pikërisht për shkak të faturave të papaguara dhe mungesës së bashkëpunimit nga ana e Combs.
Beteja mes Diddy-t dhe avokatëve të tij zhvillohet ndërsa vazhdon një tjetër proces civil me vlerë të lartë. Padia prej 100 milionë dollarësh u ngrit nga Combs kundër Courtney Burgess, avokates Ariel Mitchell dhe kompanisë Nexstar Media Inc., e cila zotëron NewsNation.
Combs pretendon se janë bërë deklarata të rreme për të dhe se ato janë përhapur përmes medias. Të paditurit i kanë kundërshtuar pretendimet e tij, ndërsa çështja vazhdon në gjykatën federale në New York.
Në fillim, padia kërkonte 50 milionë dollarë, por më vonë shuma e kërkuar u rrit në 100 milionë dollarë. Gjykata ka rrëzuar disa prej pretendimeve kundër Nexstar, ndërsa pjesë të tjera të çështjes vazhdojnë të shqyrtohen. Kërkesa e avokatëve për t’u tërhequr nuk do të thotë automatikisht se padia përfundon. Gjykata duhet të vendosë nëse firma do të lejohet të largohet nga çështja dhe, nëse po, Diddy do të duhet të sigurojë përfaqësim të ri ose të përcaktojë mënyrën se si do të vazhdojë procesin.
Ndërkohë, kjo përplasje vjen në një moment veçanërisht të ndërlikuar për Combs, i cili aktualisht po vuan një dënim federal prej 50 muajsh pas dënimit për dy akuza që lidhen me transportimin e personave për prostitucion. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda për trafikim seksual dhe komplot kriminal.
Tashmë, përveç betejave gjyqësore, Diddy duhet të përballet edhe me një tjetër problem: gjetjen e një ekipi të ri ligjor për padinë e tij prej 100 milionë dollarësh, nëse gjykata miraton tërheqjen e avokatëve aktualë.


