Kërkohet Jeton Shasivari. Ministri i Drejtësisë i cili trazoi opinionin me porositë e tij për Kosovën që ta respektojë vendimin që do të merret në Hagë për ish krerët e UÇK-së. Pas shpalljes së verdiktit dënues, reaguan pothuajse të gjithë, por jo edhe Shasivari i cili megjithatë premtoi një sqarim shtesë.
“Pas shpalljes së vendimit unë do të kem edhe një mesazh për Republikën e Kosovës dhe për popullin e saj”.
“16 shtatori është afër. Pas shpalljes së vendimit, do të kem edhe një qëndrim, një postim si mesazh për republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj”, tha Shasivari më 14 shtator.
Ministri Shasivari i bëri këto komente pas një statusi në Facebook i cili shkaktoi reagime, ndërsa opozitarja BDI kërkonte që të japë dorëheqje. Në statusin e tij, Shasivari theksonte se drejtësia nuk ka anë politike dhe për këtë duhet të respektohet çfarëdo vendimi i Gjykatës Speciale për ish krerët e UÇK-së, duke pasur në qendër viktimat e pretenduara në këtë proces.
I pyetur nëse si ministër shqiptar është e drejtë të jetë neutral në rrethana kur kjo çështje ka të bëjë me luftën e Kosovës dhe agresionin e Serbisë ndaj popullatës civile, Shasivari theksoi se nuk e vë në pikëpyetje sakrificën, por porosia e tij është për respektimin e sundimit të së drejtës.
“Mesazhi im për Republikën e Kosovës ka qenë institucional, evropian, në të mirën e Republikës së Kosovës, sakrificën, sundimin e së drejtës si parim bazë që garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe procesin e drejtë gjyqësor”, u shpreh Shasivari më 14 shtator.
I pyetur drejtpërdrejtë nëse beson në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ministri Shasivari as nuk pohoi e as nuk mohoi, por insistonte në qëndrimin e tij neutral se duhet të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë.
“Përderisa janë në këtë fazë të procesit, vlen standardi evropian i prezumimit të pafajësisë dhe ajo është e përfshirë në qëndrimin dhe mesazhin tim që e pata. Prandaj nuk ka absolutisht që thuhet se kam prejudikuar ose kam marrë anë. Mesazhi im ka qenë thjeshtë për shtetin e Kosovës, për popullin e Kosovës, për sakrificën dhe atë qëndrim e kam. Më vjen keq që për manipulime politike shtrembërohen disa pjesë nga qëndrimi im”, tha Shasiviari më 14 shtator.
Megjithatë, tani që është shpallur aktgjykimi, Shasivari nuk përgjigjet nëse e mbështet këtë vendim gjykate./Alsat.mk


