Cesc Fabregas paralajmëron se Comos i duhet “paraqitja perfekte” ndaj Frosinones, pasi nuk janë pjesë e garës Roma – Inter për “Scudetton”, ndërsa citon Jose Mourinhon: “Kam fituar zero tituj”.
“Larianët” janë ngjitur në hierarkinë e futbollit italian me një shpejtësi marramendëse, duke kaluar nga Serie B në Ligën e Kampionëve brenda tri vitesh, dhe kjo ka bërë që si mediat, ashtu edhe kundërshtarët të jenë të pasigurt se si t’i shohin ambiciet e tyre.
Duke folur para udhëtimit në Frosinone, Fabregas u pyet nëse do ta shikonte përballjen e së shtunës për “Scudetton” mes Romës dhe Interit dhe nëse e sheh Comon në atë garë.
“Për mendimin tim, ato janë dy ekipet më të forta në Itali. Do ta shikoj sepse e dua futbollin dhe mendoj se do të jetë një ndeshje e jashtëzakonshme, jo sepse janë rivalët tanë të drejtpërdrejtë për pozitën”, deklaroi trajneri në konferencën për shtyp.
Kishte disa sugjerime se ai po ndërton te Como diçka të ngjashme me atë që Johan Cruyff bëri te Barcelona.
“Jam shumë larg shumë të tjerëve, e lëre më atij. Jose Mourinho ka thënë se ka trajnerë që kanë fituar tituj dhe të tjerë që kanë fituar zero tituj, ndërsa unë jam në grupin e dytë. Gjëja më e rëndësishme është Como, jo unë. Unë jam pjesë e këtij projekti dhe jap gjithçka nga vetja. Çelësi për një trajner është koha për të punuar dhe mendoj se kjo skuadër është përmirësuar shumë gjatë dy viteve të fundit. Nëse mund të vazhdojmë me të njëjtën skuadër për dy, katër, pesë vjet, atëherë mund të bëjmë vërtet diçka, por nëse ndryshojmë çdo gjashtë muaj, është e vështirë”, shtoi ai.
Në vend të kësaj, Fabregas u përpoq ta përqendronte vëmendjen te sfida që paraqet Frosinone, i cili u promovua nga Serie B gjatë verës dhe ka bërë përshtypje me dy fitore dhe një barazim në tri ndeshjet e fundit.
“Do të jetë një nga pesë ndeshjet më të vështira të sezonit tonë në Serie A”, insistoi ai.
“Frosinone është në formë të shkëlqyer. Kur i shikoj, shoh 11 miq që japin gjithçka për njëri-tjetrin, luajnë me guxim dhe me iniciativë. Na duhet paraqitja perfekte dhe më pëlqeu shumë ta shihja skuadrën e Massimiliano Alvinit në aksion. Ata kanë një rrjedhshmëri dhe një mentalitet shumë pozitiv, janë një rrezik i vërtetë për këdo që përballen dhe, nëse duam të fitojmë, na duhet paraqitja jonë më e mirë e sezonit”, vazhdoi tutje ai.
Como do ta ketë për herë të parë këtë sezon të gjithë skuadrën në dispozicion, pasi Jayden Addai mund të rikthehet në stol pas operacionit për këputjen e tendinit të Akilit.
Kjo gjithashtu nënkupton një zgjedhje mes portierit afatgjatë Jean Butez dhe afrimit të ri Robert Sanchez, i huazuar nga Chelsea.
“Sanchez erdhi nga një klub shumë i rëndësishëm, ka fituar trofe dhe di si të përballet me presionin e vazhdueshëm për të fituar. Nuk e prisnim që ai të vinte këtu, por është e rëndësishme që çdo lojtar të pushojë, madje edhe portierët. Ndeshja e fundit ishte hera e parë në një vit e gjysmë që Butez nuk startoi. Ishte një test, do ta marrim një ndeshje pas tjetrës dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, e mbylli trajneri spanjoll


