Zendaya dhe Tom Holland kanë tërhequr vëmendjen në Emmy Awards 2026, ku u shfaqën së bashku dhe dukeshin më të afërt se kurrë. Por këtë herë, nuk ishte vetëm paraqitja e tyre si çift ajo që bëri fansat të flasin.
Të dy u fotografuan gjatë ceremonisë me unazat e arta në gishtat e martesës, duke forcuar edhe më shumë bindjen se çifti i ka dhënë fund beqarisë në një ceremoni private. Holland ishte pranë Zendaya-s gjatë mbrëmjes, ndërsa aktorja shkëlqeu me fustanin e saj spektakolar Prada të mbuluar me kristale.

Unaza e Hollandit nuk është krejt e re. Aktori ishte fotografuar edhe më herët me një unazë të thjeshtë ari, që dukej e ngjashme me atë të Zendaya-s, duke shtuar zërat se dyshja ishte martuar në fshehtësi.
Megjithatë, pikërisht në mbrëmjen kur çifti u shfaq kaq hapur së bashku, erdhi edhe një kthesë e papritur.

Stilisti dhe miku i ngushtë i Zendaya-s, Law Roach, deklaroi në tapetin e kuq të Emmy-ve se çifti nuk ka zhvilluar ende një ceremoni zyrtare martese.
Roach pranoi se deklarata e tij e mëparshme, sipas së cilës Zendaya dhe Holland ishin martuar, nuk ishte e vërtetë.
Në fakt, gënjeva. Ajo nuk ishte e martuar. Ata ende nuk kanë bërë një ceremoni zyrtare. Do të ndodhë pas turneut promovues të ‘Dune’
-tha ai.

Kur u pyet nëse po bënte sërish shaka me mediat, Roach nuk e mbylli plotësisht derën e misterit, duke lënë të kuptohet se mund të jetë duke luajtur sërish me fansat.
Situata bëhet edhe më konfuze për shkak të deklaratave të vetë Tom Hollandit. Aktori i është referuar Zendaya-s si “gruaja ime” në intervista të fundit dhe në qershor kishte dhënë një përgjigje që shumë e interpretuan si konfirmim se dasma tashmë kishte ndodhur.

Në një intervistë për Esquire, Holland tregoi se familjarët e tij i kishin parë fotografitë e rreme të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat pretendohej se tregonin çiftin në dasmë. Kur u pyet nëse duhej t’u shpjegonte të afërmve se fotografitë nuk ishin reale, ai u përgjigj se nuk kishte nevojë, sepse “ata ishin të gjithë aty”.
Për më tepër, në gusht u raportua se Zendaya dhe Holland kishin organizuar një festë private martese në Surrey, në Angli. Çifti nuk e ka konfirmuar publikisht këtë ceremoni apo festë.
Pra, ndërsa unazat në gishtat e tyre duken si një deklaratë më vete, statusi zyrtar i martesës mbetet i mbështjellë me mister.
Në Emmy, ata shijuan një nga daljet e tyre më publike si çift, ndërsa unazat e njëjta në duar bënë që fansat të riktheheshin te e njëjta pyetje: A janë tashmë burrë e grua, apo dasma e vërtetë ende nuk ka ardhur?


