Të dhëna të reja kanë dalë në dritë lidhur me rrethanat e vdekjes së këngëtarit grek Giorgos Mazonakis gjatë një procedure plazmafereze. Sipas informacioneve të bëra publike, procedura nisi në orën 14:14 dhe vetëm rreth 9-10 minuta më vonë pajisja regjistroi alarmin e parë, i cili lidhej me një trombozë të mundshme. Pavarësisht sinjalizimeve të njëpasnjëshme, pajisja vijoi të funksiononte deri në orën 14:56, duke e mbajtur këngëtarin të lidhur për rreth 42 minuta.
Në materialet e hetimit thuhet gjithashtu se nga telefoni i mjekes ishin fshirë një video dhe dy fotografi të realizuara gjatë procedurës. Në këto pamje, këngëtari shfaqej në karrigen mjekësore dhe, sipas informacioneve, në gjendje të rënduar. Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa ndaj dy mjekëve të përfshirë akuza është rënduar në vrasje me dashje eventuale.
Me zemër të thyer, babai i tij foli për herë të parë pas humbjes së Mazonakis. Manolis Mazonakis iu referua njerëzve që ai i konsideron përgjegjës për vdekjen e fëmijës së tij. Një padi është ngritur kundër Elias Theodoropoulos dhe Ioanna Gaka, dy mjekëve në klinikën private në Kolonaki. Në lot, babai i këngëtarit kërkon ndëshkim për dy mjekët, duke theksuar se asgjë nuk mund ta kthejë fëmijën e tij. Në të njëjtën kohë, ai shpreh ankthin e tij për rrezikun që mund të ketë viktima të tjera.


