Taylor Swift ka bërë zgjedhjen e saj për mbrëmjen e së hënës, në vend të tapetit të kuq të Emmy Awards, këngëtarja u shfaq në stadium për të mbështetur bashkëshortin e saj, Travis Kelce.
Superylli i muzikës ishte në Arrowhead Stadium në Kansas City për ndeshjen hapëse të sezonit të Kansas City Chiefs kundër Denver Broncos. Kjo ishte hera e parë që Swift shihte Kelce-n të luante që nga martesa e tyre gjatë verës.

Por vëmendjen nuk e mori vetëm prania e saj. Pranë Taylor-t në tribunën VIP ishte aktori i njohur Tom Cruise, me të cilin këngëtarja u fotografua duke biseduar dhe duke ndjekur ndeshjen. Prania e tij ishte një tjetër surprizë për fansat, veçanërisht pasi Cruise ishte gjithashtu i ftuar në dasmën e çiftit në korrik.
Swift zgjodhi për këtë mbrëmje një fustan të kuq me kuadrate, duke iu përshtatur ngjyrave të Chiefs, ndërsa në tribunë ishte edhe nëna e Travis, Donna Kelce. Pranë tyre ishin gjithashtu prindërit e këngëtares, Scott dhe Andrea Swift.
Kjo dalje kishte edhe një domethënie tjetër. Taylor vendosi të mungonte fizikisht në Emmy Awards, ku ishte nominuar me filmin koncertor “The Eras Tour: The Final Show”. Megjithatë, ajo ishte pjesë e ceremonisë përmes një skeçi të regjistruar paraprakisht me Mariska Hargitay dhe kastin e “Law & Order: SVU”.
Në vend që të ishte në Los Angeles për ceremoninë, Swift zgjodhi stadiumin ku nisi një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë së saj me Kelce.

Ishte pikërisht në Arrowhead, në vitin 2023, që ajo u shfaq për herë të parë publikisht në një ndeshje të Chiefs. Pas asaj daljeje, marrëdhënia e saj me Kelce u kthye në një prej historive më të komentuara të showbiz-it dhe sportit.
Tashmë, tre vite më vonë, Swift u kthye në të njëjtin stadium, por me një ndryshim të madh: këtë herë nuk ishte thjesht e dashura e yllit të NFL-së, por bashkëshortja e tij.
Çifti u martua më 3 korrik në Madison Square Garden, në një ceremoni luksoze ku morën pjesë emra të shumtë të Hollywood-it dhe sportit. Tom Cruise ishte mes të ftuarve, ndërsa Adam Sandler shërbeu si celebrues i ceremonisë.
Vetë Kelce e ka përshkruar martesën si “natën më të mirë të jetës sime”, duke thënë se martesa me Taylor ishte më shumë nga sa kishte ëndërruar ndonjëherë.
Ndërkohë, prania e Tom Cruise pranë Swift-it i dha natës edhe një tjetër moment viral. Dy yjet u panë duke biseduar gjatë ndeshjes, ndërsa kamerat i fokusuan disa herë në tribunën VIP.
Dhe ndërsa Travis Kelce ishte në fushë duke nisur sezonin e ri me Chiefs, Taylor Swift po e ndiqte nga tribuna, me një mesazh të qartë: kur bëhet fjalë për bashkëshortin e saj, Emmy-t mund të presin.


