Qeveria po shqyrton mundësinë që qytetarët të cilëve u mungojnë deri në 24 muaj stazh për të arritur minimumin ligjor prej 15 vitesh, të kenë mundësi t’i blejnë këto muaj përmes pagesës së kontributeve.
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, bëri të ditur se masa do të vlejë për personat që nuk janë më të siguruar, kanë arritur moshën e pensionimit – 62 vjeç për gratë dhe 64 vjeç për burrat – dhe kanë të paktën 13 vite stazh pune.
Sipas propozimit, qytetarët do të mund të paguajnë vetë kontributet për periudhën që u mungon, ndërsa formula përfundimtare e pagesës ende nuk është përcaktuar.
Baza për llogaritjen, sipas ministrit, pritet të jetë 50 për qind e pagës mesatare të vitit paraprak.
Sipas përllogaritjeve orientuese të TV21, nëse paga mesatare është rreth 45.500 denarë, pagesa mujore për një muaj stazh do të ishte afërsisht 4.500 denarë. Për 24 muaj, shuma do të arrinte rreth 108 mijë denarë, ose afërsisht 1.750 euro.
Vendimi përfundimtar dhe mënyra e zbatimit pritet të përcaktohen pas përfundimit të procedurës në Qeveri.


