Kompania „TESSA Energy“, e cila në vitin 2024 mori në menaxhim ish-TC „Ngrohtorja Shkup Veri“, vuri në përdorim impiantin e rikogjenerues.
Bëhet fjalë për një investim prej 2,5 milionë eurosh, ndërsa dy gjeneratorët do të prodhojnë 2,1 megavat energji elektrike dhe 2,6 megavat energji termike.
Drejtuesi i kompanisë „TESSA Energy“ tha se kjo është vetëm faza e parë, ndërsa në fazën e dytë planifikohet një investim i ri prej 10 milionë eurosh. Synimi është krijimi i një qendre moderne energjetike.
“Për ne, këto nuk ishin vetëm vendime biznesi. Morëm përsipër një objekt shumë të rëndësishëm energjetik, por edhe përgjegjësinë për ta ruajtur dhe modernizuar më tej sistemin që siguron energji termike për familjet dhe objektet e tjera në Çair dhe Butel. Por ne nuk u ndalëm vetëm këtu. Që atëherë kishim një vizion shumë të qartë: të modernizonim infrastrukturën ekzistuese dhe ta transformonim atë në një qendër moderne për prodhimin e kombinuar të energjisë termike dhe elektrike”, tha Ajri Shej – drejtues i Kompanisë “Tessa Energy”.
Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, ky investim është dëshmi se edhe kompanitë vendase mund të bëjnë tranzicionin e gjelbër.
“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse kompanitë vendase tregojnë se mund të ecin në hap me trendet më të larta botërore. Si Ministri e Transportit, do të vazhdojmë t’i mbështesim këto investime dhe, në afatin më të shkurtër të mundshëm, t’i përfundojmë të gjitha procedurat administrative, në mënyrë që të kemi edhe më shumë investime të tilla, sepse ekonomia e gjelbër është e nevojshme për shtetin”, deklaroi Aleksandër Nikolloski – zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit.
Ministri i Mjedisit Muamet Hoxha tha se në fazën e parë u sigurua ngrohje për 500 amvisëri dhe 14 institucione, ndërsa do të vazhdojl edhe faza e dytë.
“Investimi i kompanisë Tessa Energji dëshmon sa e rëndësishme është përgjegjësia e gjithë faktorëve veçanërisht atyre nga sektori energjetikës dhe industrisë për sjelljen e ndryshimeve pozitive në mjedisin jetësor dhe gjithashtu tregon mundësitë që i ofron sektori privat përmes investimeve në teknologji më efikase”, potencoi ministri i Mjedisit Jetësor – Muhamet Hoxha.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, kryetari i Çairit Izet Mexhiti, ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska dhe kryeministri Hristijan Mickovski i cili e cilësoi si investim si kontribut për më shumë energji dhe mjedis më të pastër jetësor.


