Bebe Rexha është në qendër të vëmendjes me paraqitjen e saj në numrin e fundit të revistës “Flaunt”, ku këngëtarja shqiptare shfaqet në një set fotografik ekstravagant dhe provokues.
Në disa prej imazheve, Rexha pozon pranë një modeli tërësisht të zhveshur, duke krijuar një kontrast të fortë vizual dhe një atmosferë artistike. Fotot janë realizuar nga fotografi Yu Tsai dhe kanë tërhequr reagime të shumta në rrjetet sociale.

Seti fotografik shoqëron një intervistë në të cilën Rexha flet për karrierën e saj, albumin e katërt në studio, “Dirty Blonde”, dhe fazën e re si artiste e pavarur.

Rexha ka folur për energjinë e re që ka përjetuar pasi vendosi të vazhdojë rrugëtimin muzikor jashtë një kompanie të madhe diskografike. Pas më shumë se një dekade me Warner Records, ajo iu bashkua labelit të pavarur EMPIRE, duke fituar më shumë hapësirë për të eksploruar idetë e saj artistike.

“Dirty Blonde”, albumi me 13 këngë, debutoi në vendin e parë të tabelës “Billboard Top Dance Albums”, duke shënuar një tjetër sukses për këngëtaren.

Në intervistë, Rexha kujton edhe vitet e fëmijërisë në Staten Island, kur, sipas rrëfimit të saj, ndihej si një vajzë që nuk përshtatej me të tjerët dhe ishte përballur me ngacmime në shkollë.

Bodrumi i shtëpisë së prindërve u kthye atëherë në një hapësirë të sigurt për të, ku nisi të mësonte vetë prodhimin muzikor. Ajo ka treguar se kalonte deri në 14 orë në ditë duke punuar me muzikë, duke mësuar të regjistronte vokalet, të krijonte ritme dhe të zhvillonte aftësitë si kantautore.

Sot, Rexha e sheh këtë periudhë si një fazë të re krijuese, në të cilën dëshiron të ketë më shumë kontroll mbi muzikën dhe drejtimin e karrierës së saj.


