Pirja e duhanit, dikur e lidhur shpesh me shoqërizimin, mund të ketë efektin e kundërt: duhanpirësit rezultojnë më të vetmuar dhe më të izoluar nga të tjerët. Këtë e tregon një studim i gjerë evropian, i prezantuar në kongresin e Shoqatës Evropiane të Pneumologjisë (ERS) në Barcelonë. Hulumtimi, i prezantuar nga Keir Philip, pedagog i mjekësisë respiratore në National Heart and Lung Institute të Imperial College London, analizoi të dhënat e më shumë se 50 mijë personave nga 15 vende evropiane dhe Izraeli.
Studiuesit krahasuan personat që pinin rregullisht duhan me ata që nuk e konsumonin rregullisht dhe matën nivelin e vetmisë përmes shkallës UCLA, e cila vlerëson sa shpesh një person ndihet pa shoqëri, i përjashtuar ose i izoluar nga të tjerët. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 67 vjeç. Në fillim të studimit, 22% e tyre ishin duhanpirës, ndërsa 48.5% vuanin nga më shumë se dy sëmundje kronike. Vlerësimi u përsërit dy vjet më vonë.
Rezultatet treguan se duhanpirësit ndiheshin më të vetmuar se joduhanpirësit, edhe pasi studiuesit morën në konsideratë faktorë të tjerë që mund të ndikonin në rezultat, si mosha dhe gjinia. Jo vetëm kaq. Tek personat që pinin rregullisht duhan u regjistrua edhe një rritje më e madhe e vetmisë me kalimin e kohës, pavarësisht nivelit të saj në fillim të studimit. Ndryshimet mes rajoneve evropiane rezultuan të vogla.


