Një 12-vjeçar ka humbur jetën dhe babai i tij është plagosur pasi një tren u përplas me makinën e tyre në një kryqëzim hekurudhor në Irlandë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në një zonë rurale në Kiltybo, pranë Ballyhaunis, në County Mayo.
Sipas autoriteteve, 12-vjeçari ndodhej në makinë me babain e tij, kur automjeti u godit nga një tren që udhëtonte nga Dublini. Shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 20:45, por pavarësisht ndërhyrjes së tyre, fëmija nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të marra dhe u shpall i vdekur në vendngjarje.
Babai i tij, rreth të 40-ave, i cili drejtonte automjetin, u transportua në spital me dëmtime që nuk rrezikojnë jetën. Trupi i 12-vjeçarit është dërguar në Mayo University Hospital, ku pritet të kryhet ekzaminimi post-mortem për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.
Pasagjerët e trenit që udhëtonte drejt Westport nuk pësuan dëmtime dhe u larguan nga treni në mënyrë të sigurt. Sipas “Irish Independent”, djali po kthehej në shtëpi së bashku me babain e tij pasi kishte marrë pjesë në një seancë stërvitjeje.
Ngjarja ka tronditur rëndë komunitetin lokal. Një banor i zonës tha për mediat irlandeze se të gjithë janë të shkatërruar nga tragjedia, duke e përshkruar 12-vjeçarin si “një djalë të mrekullueshëm” dhe familjen e tij si të dashur e të lumtur. Identiteti i viktimës nuk është bërë ende publik.
/vizionplus.tv


