Luka Modric ka folur sërish për Real Madridin dhe për disa prej njerëzve që kanë lënë gjurmë në karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Në një intervistë për “Marca”, mesfushori kroat ka thënë fjalë të veçanta për José Mourinhon, të cilin e konsideron shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e tij, përcjell “Gazeta Express”.
Duke e kujtuar transferimin e tij te Real Madridi në verën e vitit 2012, Modric e ka vlerësuar rolin vendimtar të trajnerit të atëhershëm, José Mourinho.
“Mourinho ishte personi më i rëndësishëm për ardhjen time te Real Madridi. Ai bëri gjithçka që ishte e mundur për ta bindur klubin që të më transferonte. Negociatat me Tottenhamin ishin të gjata dhe të komplikuara dhe, pa këmbënguljen e tij, ndoshta Real Madridi do të ishte tërhequr nga negociatat. Për këtë arsye, do t’i jem gjithmonë mirënjohës”, ka treguar kroati.
Ish-fituesi i “Topit të Artë” më pas e ka zbuluar edhe merakun e tij të vetëm sa i përket periudhës së tij me trajnerin portugez.
“I vetmi merak që e kam është pikërisht ky. Atë vit mësova shumë prej tij, por do të doja të kisha vazhduar të punoja me të për më gjatë”.
Modric e ka shprehur gjithashtu besimin e plotë te rikthimi i Mourinhos në stolin e Real Madridit.
“Besoj se klubi e ka marrë vendimin më të mirë. Mourinho e njeh në mënyrë perfekte ambientin, është një fitues dhe e ka një personalitet të jashtëzakonshëm. Mendoj se me të Real Madridi do të rikthehet të jetë një skuadër që të gjithë do ta kenë frikë”. /Gazeta Express


