Një javë pas përmbytjeve katastrofike që kanë goditur Nepalin dhe kanë shkaktuar mbi 1,000 viktima, ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin të gjallë 119 persona të tjerë, mes tyre edhe një shtetas britanik. Lajmi u bë i ditur nga një zëdhënës i ushtrisë britanike, ndërsa identiteti i britanikut ende nuk është bërë i ditur.
Nga personat e shpëtuar, 74 janë burra dhe 44 gra. Megjithatë, situata mbetet kritike, pasi më shumë se 3,900 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur. Mbi 600 prej tyre dyshohet se janë bllokuar në një rrjet të madh tunelesh të mbushura me baltë, në kantieret e projekteve hidroelektrike përgjatë lumit Trishuli.
Operacioni i shpëtimit po koordinohet nga një ekip ndërkombëtar ku marrin pjesë forca kineze dhe nepaleze, ndërsa ekspertë nga India, Koreja e Jugut dhe Australia janë angazhuar gjithashtu në kërkime. Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, kishte njoftuar më herët se 279 persona ishin shpëtuar nga kantieret hidroelektrike.
Përmbytjet goditën zonën e Rasuvas, në veri të kryeqytetit Kathmandu. Fillimisht u dyshua se katastrofa ishte shkaktuar nga një tërmet, por analizat e Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së treguan se lëkundjet sizmike ishin shkaktuar nga një rrëshqitje masive dhe shembja e akullnajës, e shoqëruar me rrjedhje të mëdha inertesh.
/vizionplus.tv


