Celine Dion ka emocionuar fansat në Paris, duke organizuar një performancë të improvizuar para hotelit ku po qëndron.
Këngëtarja kanadeze doli përpara turmës së fansave që ishin mbledhur për ta pritur dhe, së bashku me ta, këndoi një prej hiteve të saj më të njohura. Momentet e veçanta u filmuan nga fansat dhe u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Dion u shfaq para fansave e veshur me një fustan të zi të ngushtë, të cilin e shoqëronte një detaj i gjatë prej gëzofi në pjesën e poshtme.
Ajo performoi hitin e saj francez të vitit 1995, “Pour que tu m’aimes encore”, ndërsa gjatë interpretimit komunikoi me fansat përmes gjesteve dhe lëvizjeve në ritmin e muzikës.
Atmosfera u bë edhe më emocionuese teksa turma iu bashkua këngëtares duke kënduar me të.
Celine Dion ka udhëtuar së fundmi drejt Parisit nga shtëpia e saj në Las Vegas, ndërsa vizita në kryeqytetin francez lidhet edhe me rikthimin e saj të shumëpritur në skenë.
Këngëtarja pritet të nisë këtë muaj një seri koncertesh në Paris La Défense Arena, në Nanterre. Në total, janë planifikuar 26 koncerte, të cilat do të zhvillohen nga shtatori i këtij viti deri në maj të vitit 2027.
Ky rikthim vjen pas një periudhe të gjatë larg skenës. Në vitin 2023, Dion anuloi turneun e saj botëror “Courage” pasi u diagnostikua me sindromën e personit të ngurtë (Stiff Person Syndrome).
Pas një periudhe të vështirë, rikthimi në Paris përbën një moment të rëndësishëm në karrierën e këngëtares, e cila duket se është gati të rikthehet para publikut dhe të ndajë sërish muzikën e saj me fansat.


