John Galliano ka marrë vendimin për të anuluar një prej ekspozitave më të rëndësishme që do t’i kushtohej karrierës së tij në botën e modës, pas kritikave të forta që lidhen me të kaluarën e tij dhe dënimin për deklarata antisemitike.
Muzeu Metropolitan i Artit në New York, i njohur si The Met, kishte planifikuar ekspozitën “John Galliano: Horizons” për majin e vitit 2027, shkruan BBC.
Por të hënën, vetë dizajneri britanik njoftoi se kishte vendosur të tërhiqej nga projekti.
Pas shumë reflektimi dhe diskutimesh me Met-in dhe të gjithë të përfshirët, kam vendosur, me shumë trishtim, se është më mirë që ekspozita të mos zhvillohet në këtë moment
-tha ai.

Galliano u shkarkua nga posti i drejtorit kreativ të Dior-it në vitin 2011, pasi u shpall fajtor për abuzim verbal ndaj një kuratoreje hebreje në një restorant në Paris.
Gjatë procesit gjyqësor u dëshmua gjithashtu se ai kishte përdorur fyerje raciste ndaj shoqes së saj, me origjinë nga Azia Jugore. Në një incident tjetër, Galliano kishte deklaruar se e donte Adolf Hitlerin.

Në atë kohë, dizajneri kërkoi falje për sjelljen e tij, ndërsa avokati i tij e kishte lidhur atë me “stresin e lidhur me punën dhe varësitë e shumta”.
Vite më vonë, Galliano ka vazhduar të flasë për përgjegjësinë ndaj veprimeve të tij dhe për procesin e gjatë të ndryshimit personal.
Në deklaratën e tij të fundit, dizajneri pranoi se fjalët e tij të së kaluarës kanë shkaktuar dhimbje dhe tha se mban përgjegjësi të plotë për to.
E kuptoj se pendesa dhe shlyerja e sinqertë e fajit nuk arrihen përmes një ekspozite, njohjes institucionale apo një gjesti të vetëm publik
-tha ai.

Galliano shtoi:
Kjo është një përgjegjësi e vazhdueshme, e cila dëshmohet përmes dëgjimit, të mësuarit dhe mënyrës se si sillemi me kalimin e kohës.
Dizajneri tha gjithashtu se nuk dëshironte “të largonte vëmendjen nga puna e jashtëzakonshme” e Institutit të Kostumeve të Met-it dhe se e kuptonte që një ekspozitë që nderon punën e tij “do të ishte e dhimbshme për disa njerëz”.
Në deklaratë u theksua gjithashtu se Galliano ka kaluar 15 vjet në abstinencë dhe në procesin e rikuperimit nga alkoolizmi dhe varësia.
Çështja ishte bërë edhe më e ndjeshme pasi Galliano dhe puna e tij në modë do të shërbenin si temë për edicionin e ardhshëm të Met Gala-s.
Eventi, ku çdo vit mblidhen emrat më të mëdhenj të modës dhe showbiz-it, ishte planifikuar për 3 maj, në të njëjtën ditë me Yom HaShoah, Ditën e Përkujtimit të Holokaustit dhe Heroizmit.
Anna Wintour, drejtoreshë globale editoriale e Vogue, anëtare e bordit të Metropolitan Museum of Art dhe bashkëkryesuese e Met Gala-s, shprehu mbështetjen e saj për vendimin e Gallianos.
Vendimi i John-it që ekspozita kushtuar punës së tij të mos zhvillohet në këtë moment është shumë i guximshëm dhe tregon shumë për njeriun që ai është
-tha Wintour.
Besoj se ky është vendimi i duhur dhe ai, ashtu si edhe muzeu, kanë mbështetjen time të plotë.
Vendimi shënon një kthesë të rëndësishme për një prej figurave më të talentuara dhe njëkohësisht më të debatueshme të modës, duke rikthyer në qendër pyetjen se ku përfundon vlerësimi i një trashëgimie artistike dhe ku fillon përgjegjësia ndaj së kaluarës.


