Nga nesër, 1 shtator, fillon viti i ri shkollor 2026/2027 për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoni. Mësimi do të zgjasë deri më 10 qershor, ndërsa për maturantët deri më 17 maj, përcjell TV21.Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, informoi se këtë vit shkollor do ta nisin rreth 174 mijë nxënës të arsimit fillor dhe 64 mijë të arsimit të mesëm. Në klasë të parë janë regjistruar rreth 14 mijë e 500 filloristë. Për shkak të uljes së numrit të nxënësve, këtë vit janë shfuqizuar 433 paralele, ndërsa përkohësisht mbyllen edhe 26 shkolla rajonale. Janevska thotë se asnjë mësimdhënës i punësuar me kohë të pacaktuar nuk është larguar nga puna. Ndërkohë, në një numër më të madh shkollash është futur mësimi në një turn, ndërsa për mars të vitit 2027 është paralajmëruar edhe rritje e pagave në arsim nga 7,5 deri në 10 për qind.
“Procesi për të cilin jemi angazhuar gjatë muajve të fundit është optimizimi i paraleleve në shkollat ekzistuese, që nënkupton bashkimin e paraleleve më të vogla me njëra-tjetrën ose bashkimin e tyre me paralelet më të mëdha, në interes të nxënësve – që të jenë në shoqëri më të madhe, të mund të socializohen më mirë dhe të garojnë. Nuk është sekret se prej vitesh, për shembull, kanë funksionuar dy paralele me nga dy nxënës të së njëjtës moshë dhe në të njëjtën shkollë. Tani i kemi bashkuar ato dhe për këtë arsye, në sistemin arsimor këtë vit do të kemi 433 paralele më pak – 222 në arsimin fillor dhe 211 në arsimin e mesëm”, theksoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.


