Edon Zhegrova nuk bën më pjesë plotësisht në projektin teknik të Juventusit, por kjo tashmë nuk përbën më lajm.
Ajo që po e tërheq vëmendjen është situata aktuale e yllit kosovar, i cili po aktivizohet shumë pak te bardhezinjtë.
Zhegrova ka luajtur vetëm 20 minuta ndaj Frosinones, ndërsa në ndeshjen në shtëpi kundër Parmës nuk u aktivizua fare për shkak të një problemi fizik.
Deri tani, asnjë klub nuk e ka bërë një ofertë konkrete për transferimin e tij, shkruajnë mediat italiane, përcjell “Gazeta Express”.
Edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar, raportohet se Al-Ittihad është i interesuar për futbollistin kosovar, ndërsa vetë Zhegrova thuhet se është i hapur për një transferim në Arabinë Saudite.
Përballë interesimit të klubit arab, Juventusi ka qenë i qartë për çmimin: të paktën 15 milionë euro, shumë e cila mund të rritet më tej përmes bonuseve dhe një përqindjeje nga rishitja e ardhshme e lojtarit.
Tani mbetet për t’u parë nëse klubi saudit do të tentojë ta blejë menjëherë kartonin e Zhegrovës, apo do ta propozojë një huazim me pagesë, të shoqëruar me detyrim blerjeje.
Kështu, e ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi duket gjithnjë e më e pasigurt, ndërsa Arabia Saudite mund të jetë destinacioni i tij i ardhshëm.
Ndërkohë, në ditët e fundit flitet se interesim për Zhegrovën ka shfaqur edhe Lazio, e cila e do lojtarin në formë huazimi. /Gazeta Express


