Transportues nga qytete të ndryshme të vendit, me rreth 20 kamionë, protestuan sot para Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, përcjell TV21. Ata kërkojnë që shoferët profesionistë të trajtohen ndryshe nga turistët, pasi hyrja dhe qëndrimi në BE janë pjesë e punës së tyre.
Transportuesit treguan përvoja negative në kufij, duke thënë se disa prej tyre madje kanë përfunduar edhe në pranga, pasi u janë numëruar ditët e qëndrimit në zonën Shengen sipas rregullit 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Ata kërkojnë zgjidhje që do t’u mundësojë lëvizje më të lirë gjatë kryerjes së punës.
–Pra kërkojmë vetëm të na japin ditë të lira, që të mund të lëvizim dhe ta bëjmë punën tonë. Ne nuk shkojmë për pushime, por për punë. Ne sjellim mallra në Maqedoni, që edhe të tjerët të kenë çfarë të punojnë.
–Nëse ndalemi ne, do të ndalet gjithçka, e gjithë shteti.
Çfarë pasojash mund të ketë nëse nuk gjendet zgjidhje?
–Do të ketë pasoja në ekonomi, siç po ndodh në çdo shtet të Ballkanit – ekonomi më e dobët, largime nga puna, gjithçka. Kamionët e mbajnë gjallë të gjithë sistemin.
A do të ketë protesta të tjera?
–Ne, si kamionistë, nuk kemi paralajmëruar se do të vazhdojmë me protesta. Por pas 15 shtatorit, hapi tjetër do të jetë bllokimi i plotë i të gjitha pikave kufitare.
–Le ta shohin se çfarë do të thonë kamionët në praktikë. Nuk duam të arrijmë asgjë të keqe, vetëm duam t’u tregojmë se çfarë rëndësie kanë kamionët.


