Mbi 600 persona kanë humbur jetën pas përmbytjeve shkatërruese që goditën Nepalin të mërkurën, ndërsa të paktën 2,426 persona rezultojnë të zhdukur, sipas autoriteteve vendase. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për të katërtën ditë.
Reshjet e shiut po vështirësojnë përpjekjet e ekipeve të emergjencës për të arritur në disa prej zonave më të prekura. Përmbytjet kanë shkatërruar ura dhe rrugë, ndërsa helikopterët po kryejnë vazhdimisht fluturime për të evakuuar të mbijetuarit.
Mijëra persona të bllokuar dhe të izoluar nga pjesa tjetër e vendit janë shpëtuar deri tani.
Familjet e personave të zhdukur, mes tyre të paktën 517 shtetas të huaj, presin ende informacion për fatin e të afërmve të tyre.
Mes pamjeve të katastrofës ka bërë përshtypje historia e 97-vjeçares Guna Maya Bohara, e cila u nxor e gjallë nga rrënojat e një qendre kujdesi. Operacioni për ta shpëtuar zgjati katër orë dhe ajo aktualisht po rikuperohet në spital.
Stërnipi i saj, Dipak Bohara, i cili ndihmoi në operacionin e shpëtimit, tha për BBC Nepali se ajo dukej si “një luftëtare” që ishte kthyer fitimtare nga beteja.


