Bebe Rexha ka përjetuar një moment emocionues gjatë paraqitjes së saj në emisionin e njohur amerikan të mëngjesit “Today”, ku performoi live në Manhattan të New Yorkut në kuadër të serisë së koncerteve Citi Concert Series.
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, 36 vjeç, u ngjit në skenë për të interpretuar disa prej këngëve të saj, ndërsa gjatë programit foli edhe për albumin e saj më të fundit, “Dirty Blonde”, të publikuar në qershor.

Por intervista mori një kthesë krejt të papritur kur Bebe u surprizua drejtpërdrejt nga familjarët e saj.
Gjatë transmetimit, në ekran u shfaqën babai i saj, Flamur Rexha, nëna Bukurije Rexha dhe kunata Dorina, të cilët po e ndiqnin intervistën.
Prezantuesi e surprizoi këngëtaren duke i thënë:
Një përshëndetje për dy prindërit e tu dhe kunatën tënde
Kjo, përpara se kamera të kalonte te familjarët e saj.
E emocionuar nga prania e tyre, Bebe iu drejtua me shumë dashuri.
Ju dukeni kaq bukur, kaq të mrekullueshëm! Babai im ka qenë duke qarë gjatë gjithë kohës
-tha ajo mes emocioneve.
Momenti solli një tjetër anë të këngëtares, larg skenës dhe spektaklit, duke treguar lidhjen e fortë që ajo ka me familjen e saj.
Gjatë intervistës, Rexha foli gjithashtu për lidhjen e veçantë që ka me New Yorkun, qytetin ku është rritur dhe ku hodhi hapat e parë drejt muzikës.
E dini, të jesh nga New Yorku… Gjithmonë kam menduar: ‘Dua të performoj para një publiku të madh’. Është e mrekullueshme dhe emocionuese. Ndihem shkëlqyeshëm
-u shpreh artistja shqiptare.
Paraqitja në “Today” vjen në një moment të rëndësishëm për karrierën e Bebe Rexhës. Këtë vit, këngëtarja ka hapur një kapitull të ri artistik me albumin “Dirty Blonde”, duke vijuar rrugëtimin e saj në mënyrë të pavarur dhe duke ruajtur praninë në skenat e mëdha ndërkombëtare.
Nga performanca live në zemër të Manhattanit te surpriza e papritur nga familja, kjo dalje televizive solli një moment veçanërisht personal për Bebe Rexhën, një kujtesë se, pavarësisht sa e madhe është skena, familja mbetet një nga emocionet më të forta për të.


