Tom Ford, i lindur më 27 gusht 1961 në Austin të Teksasit, feston 65-vjetorin dhe mbetet një prej figurave më të rëndësishme të modës moderne, i njohur për luksin, elegancën dhe estetikën provokuese.

Edhe pse studioi arkitekturë në Parsons School of Design, Ford shumë shpejt e gjeti veten në botën e modës. Në vitin 1990 u transferua në Milano dhe iu bashkua shtëpisë së modës Gucci.
Katër vjet më vonë, në vitin 1994, ai u emërua drejtor kreativ i Gucci-t, në një periudhë kur marka po përballej me vështirësi financiare.

Me dizajne të guximshme, fushata provokuese dhe një vizion të ri për luksin, Ford arriti të ndryshonte rrënjësisht imazhin e markës. Brenda pak vitesh, Gucci u shndërrua në një prej emrave më të fuqishëm të industrisë së luksit.

Pas largimit nga Gucci Group në vitin 2004, Ford krijoi markën e tij, e cila u zgjerua në veshje, aksesorë, syze, kozmetikë dhe parfume.
Krijimet e tij u bënë të preferuara nga shumë prej yjeve më të mëdhenj të Hollywoodit. Ford projektoi gjithashtu kostumet e Daniel Craig për katër filma të serisë James Bond.
Në vitin 2022, Estée Lauder bleu biznesin e bukurisë Tom Ford për 2.8 miliardë dollarë, ndërsa Ford u tërhoq nga posti i drejtorit kreativ në vitin 2023.
Por moda nuk ishte fusha e vetme ku ai la gjurmë.

Ford ndërtoi edhe një karrierë në kinematografi. Debutimi i tij si regjisor, “A Single Man”, u vlerësua nga kritika dhe i siguroi Colin Firth një nominim për Oscar. Më pas ai realizoi “Nocturnal Animals”, i cili fitoi Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia.
Në jetën private, Ford pati një lidhje prej më shumë se tri dekadash me gazetarin Richard Buckley. Ata u martuan në vitin 2014 dhe patën një djalë përmes një nëne surrogate. Buckley ndërroi jetë në vitin 2021 pas një sëmundjeje të gjatë.
Gjatë karrierës së tij, Tom Ford ka fituar një sërë çmimesh prestigjioze, ndërsa periudha e tij në Gucci vazhdon të konsiderohet një prej transformimeve më të rëndësishme në historinë e modës moderne.


