Aktori i njohur Tim Curry, i cili la gjurmë në kinematografi me disa role ikonike, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.
Në vitet e fundit të jetës, Curry kishte folur hapur për plakjen, problemet shëndetësore dhe mënyrën se si e shihte fundin e jetës.
Në një intervistë për “CBS Mornings”, aktori kishte treguar se, edhe pse kishte bërë gjithçka për ta shtyrë sa më shumë fundin, nuk kishte frikë nga vdekja.
Ai shpjegonte se do ta pranonte atë kur të vinte momenti dhe se, në njëfarë mënyre, vdekja mund të sillte edhe një ndjenjë çlirimi dhe qetësie.
Të njëjtën filozofi e kishte përcjellë edhe në librin e tij “Vagabond”, të botuar në vitin 2025. Curry shkruante se nuk besonte se pas vdekjes e prisnin domosdoshmërisht parajsa apo ferri, por e shihte fundin e jetës me një qetësi të pazakontë.
Për të, ideja e zhdukjes në harresë nuk ishte diçka që duhej t’i frikësohej njeriu.
Curry kishte kaluar edhe një periudhë shumë të vështirë shëndetësore. Në vitin 2012, ai pësoi një goditje në tru, e cila e la të paralizuar dhe e detyroi të përballej me një proces të gjatë trajtimi dhe rehabilitimi.
Pavarësisht vështirësive, aktori kishte thënë se nuk e kishte pëlqyer kurrë vetë-keqardhjen dhe kishte zgjedhur të përqendrohej te jeta dhe puna që mund të vazhdonte të bënte.
Qëndrimi i tij ndaj plakjes dhe vdekjes pasqyronte një pranim të thellë të realitetit, ndërsa edhe përballë problemeve të mëdha shëndetësore ai u përpoq të ruante humorin, forcën dhe dinjitetin që e karakterizuan gjatë karrierës së tij.


