Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për blerjen e produkteve të prodhuara në Serbi, duke marrë si shembull glukozën që përdoret në spitalet publike.
Ramadani ka thënë se glukoza e prodhuar në Vërshac të Serbisë blihet nga institucionet e Kosovës, duke kërkuar nga Qeveria të sqarojë arsyet e një vendimi të tillë.
“Në spitalet e shtetit tonë, edhe Glukoza vjen nga Serbia.
Tregojini popullit PSE dhe QYSH?
Patriotizmi nuk matet me fjalë e nuk është fushatë elektorale. Glukoza e prodhuar në Vrsac të Serbisë blihet nga Qeveria e Kosovës”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka përmendur edhe produkte dhe furnizime të tjera nga Serbia, duke kritikuar atë që e konsideron si mospërputhje mes deklaratave politike dhe veprimeve në praktikë.
“Infuzionet nga Serbia, gurë e zallë nga Serbia, vagonat në Serbi…
Serbia nuk e ka pasur tregun e Kosovës veç kur ishte Taksa 100%”, ka deklaruar Ramadani.
Në fund, deputeti i zgjedhur ka bërë të ditur se fotografinë e produktit e ka realizuar të enjten në një prej klinikave publike të Kosovës.
“Foto është bërë sot, në një prej klinikave publike të Kosovës”, ka shkruar Ramadani.


