Pete Davidson ka befasuar fansat me një transformim drastik në pamje, të cilin e ka bërë për rolin e tij të ardhshëm në filmin “Tommy Karate”.

Aktori dhe komediani është fotografuar gjatë xhirimeve në Brooklyn me flokë të gjatë dhe të errët, të ndarë në mes, si dhe me lente me ngjyrë. Ndryshimi është aq i madh sa Davidson duket pothuajse i panjohur dhe shumë larg imazhit të tij të zakonshëm.

Në film, aktori do të interpretojë Tommy Piterën, një figurë reale e lidhur me familjen kriminale Bonanno, i cili ishte i njohur për aftësitë e tij në artet marciale dhe mori nofkën “Tommy Karate”.
Për t’iu përshtatur personazhit, Davidson ka ndryshuar jo vetëm flokët dhe sytë, por edhe mënyrën e veshjes, duke adoptuar një stil që i përshtatet atmosferës së botës kriminale të New Yorkut.
Filmi, i bazuar në ngjarje reale, pritet të publikohet në vitin 2027. Në kast janë gjithashtu Camila Mendes, Paul Walter Hauser dhe Francesca Xuereb.

Ndërkohë, Davidson vazhdon të tërheqë vëmendje edhe për jetën e tij personale.
Aktori së fundmi u bë baba i një vajze, Scottie Rose, me aktoren Elsie Hewitt. Dyshja u nda pak kohë pas lindjes së saj, ndërsa kanë rënë dakord për kujdestari të përbashkët të vajzës.


