Dolly Parton nuk ishte vetëm një prej ikonave më të mëdha të muzikës country për Miley Cyrus, por edhe kumbara e saj dhe një prej figurave më të rëndësishme në jetën e këngëtares.
Marrëdhënia e tyre nisi në vitin 1992, kur lindi Miley. Babai i saj, këngëtari Billy Ray Cyrus, i kërkoi mikeshës së tij Dolly Parton të bëhej kumbara e vajzës.

Që prej asaj kohe, Parton ka qenë pranë Mileyt në etapa të ndryshme të jetës dhe karrierës së saj.
E njoh që kur ishte foshnjë
-ka treguar Dolly në një intervistë, duke e përshkruar Mileyn si një vajzë që e donte sikur të ishte fëmija i saj.
Me kalimin e viteve, marrëdhënia e tyre u shndërrua në një miqësi shumë të ngushtë. Miley i është drejtuar shpesh Dollyt për këshilla mbi jetën dhe karrierën, ndërsa Parton ka folur vazhdimisht me admirim për talentin dhe inteligjencën e saj.

Dy këngëtaret kanë ndarë edhe skenën në disa raste dhe kanë bashkëpunuar në projekte muzikore.
Mes tyre janë interpretimet e “Jolene” dhe “Rainbowland”, ndërsa në vitin 2023 ato sollën edhe një version të “Wrecking Ball”, pjesë e albumit të Parton, “Rockstar”.
Lidhja e tyre nuk mbeti vetëm jashtë kamerave. Dolly Parton ishte gjithashtu pjesë e serialit të famshëm “Hannah Montana”, ku luajti rolin e tezes së personazhit të interpretuar nga Miley.
Nga kumbara e një foshnjeje te bashkëpunëtore dhe mike e një prej yjeve më të mëdha të muzikës pop, marrëdhënia mes Dolly Parton dhe Miley Cyrus është kthyer në një prej lidhjeve më të veçanta mes dy brezave të muzikës.


