Një zgjidhje e thjeshtë, e frymëzuar nga natyra, po përdoret në disa supermarkete në Tajlandë për të reduktuar përdorimin e plastikës në paketimin e produkteve të freskëta. Në vend të ambalazheve plastike, frutat dhe perimet po mbështillen me gjethe bananeje, një material natyral që mund të përdoret për paketimin e ushqimeve dhe nuk kërkon procese të ndërlikuara prodhimi.
Ideja ka tërhequr vëmendje edhe për faktin se gjethet e bananes janë një nënprodukt bujqësor. Pas vjeljes së frutit, kërcelli i bimës pritet për t’i mundësuar bimës të rritet sërish. Kështu, gjethet mund të ripërdoren në vend që të hidhen. Ndryshe nga plastika, e cila mund të qëndrojë në mjedis për qindra vjet, gjethet e bananes janë material organik dhe mund të shpërbëhen natyrshëm.
Mikroplastikat janë tashmë të pranishme pothuajse kudo por pyetja se çfarë pasojash mund të ketë ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tyre për shëndetin mbetet ende një çështje që po studiohet. Një studim i ri nga Kolegji i Mjekësisë Veterinare dhe Shkencave Biomjekësore në Teksas A&M ka analizuar ndikimin e polietilenit, një prej llojeve më të përdorura të plastikës në botë. Gjetjet, të publikuara në revistën Science Advances, sugjerojnë se ekspozimi ndaj tij mund të lidhet me ndryshime të ngjashme me ato që shfaqen në sëmundjen e mëlçisë yndyrore, ndërsa efektet duket se përforcohen kur ekspozimi shoqërohet me një dietë të pasur me yndyrë, fruktozë dhe kolesterol.
Polietileni përdoret gjerësisht në paketimet ushqimore, mbështjellësit plastikë, enët e ruajtjes dhe materiale të tjera të përdorimit të përditshëm. Sipas studiuesve, ai përbën rreth një të tretën e prodhimit global të plastikës, por ndikimi i tij në mëlçi është studiuar më pak krahasuar me disa lloje të tjera plastike. Ekipi kërkimor u përqendrua në pyetjen nëse ekspozimi ndaj polietilenit mund të kontribuojë në zhvillimin e ndryshimeve të lidhura me sëmundjen e mëlçisë yndyrore, një gjendje në të cilën yndyra grumbullohet në qelizat e mëlçisë.


