Administrata e Presidentit Donald Trump ka pezulluar të gjitha aplikimet për viza imigruese në SHBA, ndërsa Departamenti i Shtetit po përgatit rregulla dhe procedura më të rrepta për pranimin e aplikantëve. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit konfirmoi se iniciativa është zbatuar në ambasadat dhe konsullatat amerikane që prej fillimit të gushtit, ndërsa takimet për viza janë riorganizuar për t’i lënë hapësirë trajnimeve të reja për punonjësit konsullorë.
Sipas autoriteteve amerikane, qëllimi është që zyrtarët konsullorë të vlerësojnë në mënyrë më të detajuar çdo aplikant dhe të përcaktojnë nëse ai mund të përfundojë duke u mbështetur në përfitimet publike në SHBA. Disa persona që kishin intervista të planifikuara janë njoftuar se takimet e tyre janë anuluar dhe se do të marrin një datë të re. Ende nuk është bërë e qartë se kur do të rifillojnë intervistat e pezulluara.
Pezullimi vjen në kuadër të një sërë masash të administratës Trump për forcimin e kontrollit mbi emigracionin. Vetëm këtë javë, administrata njoftoi gjithashtu planet për revokimin e vizave të personave që kanë hyrë në SHBA me viza turistike ose biznesi dhe më pas kanë kërkuar azil. Sipas vlerësimeve, masa mund të prekë deri në 200 mijë persona dhe do të përbënte revokimin më të madh masiv të vizave në historinë e SHBA-së.
Aplikantët për viza janë përballur edhe me kufizime të tjera, përfshirë kontrolle të historikut të tyre në rrjetet sociale dhe rritje të kostove të përpunimit. Administrata ka tentuar më herët të bllokojë aplikimet nga 75 shtete mbi bazën e të ashtuquajturit parimi “public charge”, por kjo masë u rrëzua nga një gjykatës federal. Edhe përpjekja e Trump për të pezulluar tërësisht programin amerikan të refugjatëve u rrëzua nga një gjykatë federale në shkurt.
Ekspertët e emigracionit paralajmërojnë se pezullimi i fundit do të krijojë pengesa të menjëhershme për persona që kanë ndjekur ligjërisht një proces të gjatë aplikimi. Avokati Brian Simmons tha se shumë prej aplikantëve mund të kenë shpenzuar mijëra dollarë dhe të kenë ndryshuar planet e tyre për të marrë pjesë në intervista, vetëm për t’u përballur me anulimin e tyre në momentin e fundit. Ende nuk dihet se kur do të caktohen takimet e reja.
/vizionplus.tv


