Legjenda e muzikës country, Dolly Parton, u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare, vetëm pak ditë pasi kishte folur publikisht për gjendjen e saj shëndetësore.
Në intervistën e fundit për revistën “People”, Parton kishte treguar se po përballej me disa probleme shëndetësore, të cilave nuk u kishte kushtuar vëmendjen e duhur gjatë periudhës kur kujdesej për bashkëshortin e saj, Carl Dean, i cili ndërroi jetë në mars të vitit 2025.
Këngëtarja pranoi se për një kohë të gjatë shëndeti i saj kishte kaluar në plan të dytë, ndërsa ajo ishte përqendruar te kujdesi për bashkëshortin. Megjithatë, ajo kishte kaluar edhe më parë periudha të vështira shëndetësore dhe ishte përpjekur të vazhdonte jetën e saj profesionale pavarësisht tyre.
Edhe në muajt e fundit, Parton vazhdoi të punonte, të krijonte muzikë dhe të planifikonte projekte të reja, duke treguar edhe një herë përkushtimin e saj ndaj karrierës.
Lajmin për vdekjen e saj e bëri të ditur nipi Bryan Seaver, i cili ndau gjithashtu një prej dëshirave të fundit të artistes. Pas një jete të kaluar mes skenës, koncerteve, muzikës dhe veshjeve të saj ikonike, Parton dëshironte që një ditë të pushonte në një shtrat të butë prej pambuku.
Dolly Parton la pas një karrierë që zgjati për dekada dhe një trashëgimi që shkon shumë përtej muzikës. Ajo u shndërrua në një prej figurave më të dashura të country-t, ndërsa la gjurmë edhe në kinema, biznes dhe filantropi.
Këngë si “Jolene”, “9 to 5” dhe “I Will Always Love You” do të mbeten ndër veprat më të njohura të saj dhe pjesë e pandashme e historisë së muzikës.
Në fund, Parton la pas jo vetëm këngët e saj, por edhe një ndikim të jashtëzakonshëm te miliona njerëz që u rritën me muzikën dhe mesazhet e saj.


