Gjashtë punonjës të aeroportit të Frankfurtit janë infektuar me malarie pas pickimit nga mushkonja, ndërsa një prej tyre ka humbur jetën nga kjo sëmundje potencialisht vdekjeprurëse. Lajmi është konfirmuar nga kompania Fraport, operatori i aeroportit, ndërsa pesë punonjësit e tjerë ndodhen nën trajtim mjekësor.
Rastet e para u raportuan në mesin e korrikut dhe dyshohet se infektimi mund të jetë shkaktuar nga një ose disa mushkonja të infektuara që kanë mbërritur në aeroport si “pasagjerë të paligjshëm” në hapësirat e ngarkesave të një avioni. Sipas Institutit Robert Koch, infektimi mund të ketë ndodhur mes datave 4 dhe 6 korrik.
Fraport ka informuar të gjithë punonjësit dhe u ka kërkuar që në rast shfaqjeje të simptomave të konsultohen menjëherë me mjekun dhe të bëjnë me dije se punojnë në aeroport, në mënyrë që të kryhen kontrollet e nevojshme. Sipas autoriteteve, nuk janë evidentuar deri tani raste të tjera jashtë grupit të punonjësve të prekur.
Në aeroport janë vendosur edhe kurthe për mushkonjat. Insektet e kapura do të analizohen gjenetikisht në Institutin e Mjekësisë Tropikale në Antwerp, me qëllim përcaktimin e llojit dhe origjinës së tyre. Autoritetet shëndetësore të Frankfurtit po monitorojnë nga afër situatën.
Raste të tilla të malaries të transmetuara nga mushkonja të mbërritura me avion janë tepër të rralla në Gjermani. Sipas ekspertëve, shumica e rasteve në vend lidhen me persona që kanë udhëtuar në zona ku malaria është e përhapur.
Malaria transmetohet nga mushkonjat Anopheles dhe mund të shkaktojë temperaturë të lartë, të dridhura, dhimbje koke dhe dhimbje muskujsh. Në rastet e rënda, infeksioni mund të çojë në dëmtime të organeve, dështim të tyre dhe vdekje.
/vizionplus.tv


