Jack Osbourne ka nisur të ndajë më shumë fotografi dhe kujtime nga e kaluara, duke treguar se dëshiron të ruajë historinë e familjes së tij dhe veçanërisht kujtimet me babanë, legjendën e muzikës Ozzy Osbourne.
Në një intervistë për DailyMail, Jack, 40 vjeç, shpjegoi me humor se publikimi i fotografive të vjetra është edhe një mënyrë për të sjellë diçka ndryshe për ndjekësit.

Së fundmi, ai ka publikuar fotografi nga fëmijëria, festivalet muzikore dhe periudha e reality show-t familjar në MTV, ku u bë i njohur së bashku me prindërit dhe motrën e tij.
Ozzy Osbourne ndërroi jetë më 22 korrik 2025 në Londër, në moshën 76-vjeçare, pas një periudhe të gjatë me probleme shëndetësore.

Pas vdekjes së të atit, Jack ndau një mesazh emocional, duke shkruar se zemra e tij ishte mbushur me trishtim dhe pikëllim, por edhe me dashuri dhe mirënjohje.
Ai kujtoi veçanërisht kohën e kaluar me të atin, duke thënë se kishte kaluar 14.501 ditë me të dhe se kjo ishte një bekim i vërtetë.
Ky ishte babai im. Ai jetoi dhe e jetoi jetën e tij plotësisht. Të dua, babi
-shkroi Jack.

Tashmë, ai vazhdon të ruajë dhe të ndajë kujtimet e familjes së tij së bashku me nënën, Sharon Osbourne, dhe motrën, Kelly Osbourne. Për Jack, fotografitë e vjetra nuk janë thjesht materiale për rrjetet sociale, por një mënyrë për të mbajtur gjallë historinë dhe kujtimet e një familjeje që ka qenë për dekada në qendër të vëmendjes.


