Në kërkim të një shkaku, disa politikanë evropianë vunë në pah si vendimin e Madridit për të rregulluar statusin e migrantëve, ashtu edhe një vendim të fundit të Gjykatës Supreme të Spanjës. E para, skema për legalizimin e statusit, megjithatë, u drejtohej kryesisht migrantëve latino-amerikanë që punojnë në Spanjë dhe zbatohej për personat që mund të dëshmonin se kishin banuar në vend për pesë muaj rresht para fillimit të këtij viti.
Shkaku i dytë i sugjeruar për fluksin ishte një vendim shumë teknik i gjykatës, i marrë në fillim të korrikut, i cili përcaktoi se procedura e kthimit të menjëhershëm të migrantëve nga Madridi nuk zbatohej për personat e ndaluar teksa përpiqeshin të notonin nga territori i Marokut drejt Ceutës dhe Melillës. Sipas vendimit, kjo procedurë zbatohej vetëm nëse migrantët kalonin një barrierë fizike, që do të thoshte se ata që përpiqeshin të hynin duke notuar do t’i nënshtroheshin një procesi ligjor shumë më të ngadaltë, në vend që të ktheheshin menjëherë. Megjithatë, vendimi i gjykatës mezi u bë lajm në Spanjë kur u dha më 8 korrik.
Dora e Marokut?
Atëherë, cili ishte faktori që i tërhoqi migrantët? Ndërsa rrjetet e trafikimit duket se janë përgjigjja zyrtare e preferuar në Bruksel, disa zyrtarë evropianë kanë ngritur, të paktën privatisht, pikëpyetje për rolin e Marokut në këtë proces. (Ata gjithashtu nxitojnë të theksojnë se Spanja thotë hapur dhe në mënyrë të përsëritur, si publikisht ashtu edhe në biseda me dyer të mbyllura, se Rabati nuk ka të bëjë me këtë dhe se vendi ka qenë shumë ndihmues sa i përket kthimit të migrantëve).
Marrëdhënia mes Marokut dhe Spanjës është e ndjeshme. Në vitin 2021, Maroku lejoi rreth 8.000 migrantë të arrinin në dy enklavat spanjolle, pasi Madridi lejoi që udhëheqësi i një lëvizjeje për pavarësinë e Saharasë Perëndimore të merrte trajtim mjekësor në Spanjë. Sahara Perëndimore ishte pjesë e Spanjës deri në vitin 1975, por Maroku pretendon sovranitet mbi territorin dhe de facto kontrollon pjesën më të madhe të tij. Ndërsa Madridi më parë mbante qëndrimin se statusi i territorit duhej të përcaktohej përmes një referendumi të sponsorizuar nga OKB-ja, pas krizës së migrantëve të vitit 2021, Spanja ndryshoi qëndrim dhe deklaroi se Sahara Perëndimore duhet të jetë një territor autonom nën kontrollin e Rabatit.
Disa vëzhgues kanë thënë se Maroku e kundërshtoi vendimin e Spanjës në fillim të korrikut për të përmirësuar marrëdhëniet politike me Algjerinë – një prej rivalëve kryesorë rajonalë të Rabatit, që mbështet pavarësinë e Saharasë Perëndimore.
Me Spanjën – dhe rrjedhimisht BE-në – që ngurron të drejtojë gishtin nga Maroku, deklarata e përbashkët e ministrave të Brendshëm përfundoi me një shënim intrigues: “Komunikimi gjatë momenteve të krizës mund të forcohet më tej përmes koordinimit në kohë dhe duhet të jetë më koherent, veçanërisht për të kundërshtuar aktorët e jashtëm keqdashës të angazhuar në manipulim dhe ndërhyrje të huaja në informacion.”
Skenari i Bjellorusisë
Por, kush mund të jenë këta “aktorë të jashtëm keqdashës”? Një zgjedhje e qartë në Bruksel është Rusia, e cila ka një histori të nxitjes së migrantëve drejt kufijve të BE-së. Kriza në Ceuta kishte disa ngjashmëri me përpjekjen e Bjellorusisë dhe Rusisë, kryesisht gjatë viteve 2021-2022, për të shtyrë mijëra njerëz, kryesisht nga Afganistani, Iraku dhe Siria, drejt Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë. (Ky fluks i tentuar vazhdon edhe sot, me Letoninë që së fundmi u detyrua të mbyllte përkohësisht kufirin me Bjellorusinë pas një rritjeje të tentativave për kalim të kufirit).
Në atë kohë, Brukseli nxitoi të drejtonte gishtin nga regjimi i Aleksandr Lukashenkos dhe mbështetja e Kremlinit për të, si në aspektin logjistik, ashtu edhe përmes manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion (FIMI). Kornizat e sanksioneve u zgjeruan për të përfshirë aktet e “instrumentalizimit të migrantëve”, ndërsa ndalimet e vizave dhe ngrirja e aseteve u vendosën ndaj zyrtarëve që lehtësonin rrugët e migrantëve drejt kufijve të BE-së, operatorëve turistikë dhe hoteleve që ishin përdorur gjatë udhëtimit, madje edhe ndaj Belavia-s, kompanisë kombëtare ajrore të Bjellorusisë, për transportimin e njerëzve fillimisht drejt Bjellorusisë.


