Korriku i këtij viti ishte një muaj me temperatura mesatare dhe me reshje mesatare, krahasuar me vlerat mesatare shumëvjeçare (1991-2020) në nivel shtetëror, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike pas analizës së matjeve dhe vëzhgimeve nga stacionet meteorologjike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Temperatura mesatare mujore në korrik varionte nga 18.0 gradë Celsius në Mavrovë deri në 27.2 gradë Celsius në Gjevgjeli.
“Krahasuar me temperaturat mesatare mujore të korrikut, për periudhën tridhjetëvjeçare (1991–2020), temperatura e këtij viti ishte mesatare në nivel shtetëror. Temperatura më e lartë maksimale në vend u mat më 20 korrik në Gjevgjeli dhe ishte 39.5 gradë Celsius. Temperatura më e ulët minimale gjatë muajit u mat në Berovë, më 10 korrik, dhe ishte 4.6 gradë Celsius”, njoftoi DPHM-ja.
Gjithashtu theksojnë se më 21 korrik u regjistrua erë jashtëzakonisht e fuqishme, me goditje uraganike në disa pika matëse. Në Shtip u regjistrua goditja më e fuqishme, me shpejtësi të erës prej 134 kilometra në orë, nga drejtimi perëndim-veriperëndim, ndërsa në Shkup – Zajçev Rid, era arriti një shpejtësi maksimale prej 130 kilometra në orë, nga drejtimi veri-veriperëndim.
“Sasia mujore e reshjeve në vend gjatë korrikut 2026 varionte nga 14 mm në Ohër deri në 60 mm në Kriva Pallankë. Reshjet ishin në formë shiu dhe breshëri. Sasia maksimale ditore e reshjeve, prej 27 mm, u regjistrua në Kriva Pallankë më 2 korrik. Krahasuar me vlerën mesatare të reshjeve për muajin korrik gjatë periudhës shumëvjeçare (1991-2020), sasia mujore e matur e reshjeve ishte mesatare në nivel shtetëror”, informoi DPHM-ja.


