VLEN drejton akuza BDI-së për kepërdorimin e Marrëveshjes së Ohrit, tani në prag të shënimit të 25 vjetorit nga nënshkrimi i dokumentit kornizë.
Zëdhënësi i partisë Driton Sulejmani, thotë se prej saj lindën milionerë dhe u ndërtua një sistem që u shërbente një grupi njerëzish. Ai gjithashtu akuzon BDI-në se mbi dy dekada nuk rregulloi me ligj përfaqësimin e drejtë dhe nuk përmbylli decentralizimin.
“VLEN-i nuk e kujton Marrëveshjen e Ohrit vetëm kur vjen përvjetori. Për ne, ajo është obligim për punë konkrete. Njëzet e pesë vjet më vonë, është koha t’ia rikthejmë dinjitetin e Marrëveshjes së Ohrit. Jo vetëm si dokument juridik dhe marrëveshje që i dha fund konfliktit, por si arritje historike e shqiptarëve, e mishëruar në rendin kushtetues dhe si zotim i përhershëm për barazi.” – deklaroi Zëdhënësi i VLEN, Driton Sulejmani, përcjell PressOnline.al
Nga BDI njoftojnë se me një event nën patronazhin e kryetarit të partisë, Ali Ahmeti do të rikujtojnë Marrëveshjen e Ohrit. Do të shfaqet dokumentar si dhe diskutim me pjesëmarrjen e personaliteteve, protagonistëve dhe dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të ngjarjeve të vitit 2001.
“Marrëveshja e Ohrit do të trajtohet jo vetëm si ngjarje historike, por si një mësim për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen, duke u analizuar edhe pse ajo ishte zgjidhja më e mirë paqësore për përfundimin e luftës së vitit 2001. 25 vjet pas 13 Gushtit, kujtojmë historinë, analizojmë të tashmen dhe nxjerrim mësime për të ardhmen”, – thonë nga BDI.
BDI edhe vitin e kaluar doli me organizim të posaçëm krahas organizimit qeveritar.


