Në kohën kur u largua nga Rusia në shtator të vitit 2022, Aleksandr Menyukov ishte dëshmitar i një hetimi penal që kishte për shënjestër një mik të tij të ngushtë: një poet, recitimet në rrugë të vargjeve kundër luftës konsideroheshin krim.
Qindra mijëra rusë u larguan nga vendi pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi po atë muaj mobilizim ushtarak për të forcuar radhët për pushtimin e Ukrainës. Por, për Menyukovin, i cili ofronte këshilla ligjore për rusët që kundërshtonin luftën, kupa u mbush kur ai u rrah keq gjatë një bastisjeje që policia kreu në banesën e tij në Moskë.
Në Kazakistan, ai ngarendi që ta nxirrte një pasaportë të re para se t’i skadonte afati, një situatë që u përkeqësua nga fluksi i rusëve të tjerë që po nxitonin të rregullonin dokumentet e tyre. Disa muaj më vonë, ai përfundoi në Poloni me një vizë humanitare.
Tani, jeta e Menyukovit – dhe potencialisht e mijëra, në mos dhjetëra mijëra, rusëve që jetojnë jashtë vendit – mund të bëhet shumë më e vështirë.
Sipas një ligji të nënshkruar nga Putini më 4 gusht, shtetasve rusë që jetojnë jashtë vendit dhe që janë dënuar nga autoritetet ruse për një vepër administrative ose për një vepër penale, do t’u ndalohet të kryejnë veprime të zakonshme si nxjerrja e pasaportës së re apo noterizimi i dokumenteve, siç është certifikata e martesës.
Kjo mund të përfshijë aktivistë që kanë punuar për organizata të financuara nga jashtë, qytetarë të zakonshëm rusë që komunikojnë me të ashtuquajturat organizata “të padëshirueshme”, apo njerëz që thjesht vënë në dyshim humbjet astronomike që ushtria ruse ka pësuar në Ukrainë.
Masa e re është quajtur “vdekje civile” nga juristët, aktivistët për të drejtat e njeriut dhe rusët që jetojnë jashtë vendit, të cilët druhen se ajo do t’i fusë në një ngërç ligjor dhe burokratik, nga i cili do të kenë pak mundësi të dalin.
“Nëse do të kisha qenë në Poloni kur më skadoi pasaporta [ruse] dhe këto kufizime do të kishin qenë në fuqi në atë kohë, do të më mohohej e drejta për të aplikuar për një pasaportë të re”, tha Menyukovi në një intervistë nga Varshava. “Kështu funksionon. Dhe tani, kjo do të bëhet një problem i madh për rusët”.
“Në aspektin teknik, shtetasit rusë nuk do ta humbin shtetësinë e tyre”, tha Tanya Lokshina, hulumtuese ruse në organizatën amerikane për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch. “Ata do të mbeten shtetas rusë, por pa qasje në shërbime ligjore. De-facto kjo është si të jesh pa shtetësi”.
Qëllimi “është të dërgohet një mesazh dhe të krijohet një efekt frikësues në shoqëri, si tek ata që janë larguar nga vendi, ashtu edhe tel ata që kanë mbetur”, tha Gleb Bogush, një avokat rus që tani jeton në Berlin.
Zyrtarët rusë shfaqin hapur qëllimet e tyre.
“Të gjithë ata që kanë ikur jashtë vendit dhe po i bëjnë dëm shtetit nuk janë opozitë; ata janë tradhtarë, janë kriminelë”, tha javën e kaluar Vyacheslav Volodin, kryetar i Dhomës së Ulët të Parlamentit të kontrolluar nga Kremlini, teksa ligjvënësit miratuan projektligjin.
“Sistem aparteidi”
Gjatë më shumë se dy dekadave, autoritetet ruse kanë zgjeruar gradualisht arsenalin ligjor që përdoret për të ndëshkuar disdencën, për të censuruar mediat e pavarura, për të mbyllur organizatat e shoqërisë civile dhe për të heshtur ligjvënësit e opozitës.
Këto masa përfshijnë ligje si ai për “agjentët e huaj”, që ndëshkon individët dhe grupet që marrin financim nga jashtë, si dhe ligjin për “organizatat e padëshirueshme”, i cili ndalon organizatat e huaja që konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare dhe kriminalizon personat që punojnë për to, bashkëpunojnë me to ose u japin donacione.
Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, autoritetet ruse kanë miratuar masa edhe më të ashpra.
Personat që publikojnë shifra për humbjet në njerëz ose informacione për krime të dyshuara lufte të kryera nga Rusia në Ukrainë mund të ndiqen penalisht për “diskreditim të forcave të armatosura ruse”. Një shtetas rus që i referohet rajoneve të Ukrainës, të cilat Moska pretendon se i ka aneksuar, si territore ukrainase, mund të akuzohet për minim të integritetit territorial të Rusisë.
Tani, nëse je dënuar për një nga gjashtë veprat e ndryshme penale dhe jeton jashtë Rusisë, mund të të hiqet në praktikë ajo që ekspertët ligjorë e konsiderojnë një të drejtë themelore sipas së drejtës ndërkombëtare: e drejta e një qytetari për shërbime konsullore.
“Strategjia nuk është t’u hiqet [qytetarëve rusë] shtetësia, t’i zhveshë ata nga ajo. Strategjia është që të përdoret shtetësia si armë”, tha Bogush. “Është edhe një tullë tjetër në ndërtimin e një sistemi të aparteidit të pjesshëm: për të veçuar një grup të caktuar njerëzish, të cilët sistemi i konsideron armiq, ‘të padëshirueshëm’”.
“Një person që është larguar [nga vendi] për arsye politike dhe cilësohet si ‘shmangës’ do të marrë statusin e një ‘qytetari të anuluar’ brenda vendit”, tha First Department, një grup i aktivistëve ligjorë rusë.
Nëse një rusi i duhet, për shembull, një certifikatë martese ose një certifikatë lindjeje nga Rusia, kjo do të jetë e pamundur. E njëjta gjë vlen edhe nëse dikush ka nevojë për një vërtetim se nuk ka të kaluar kriminale në Rusi, të cilën do të duhet t’ia dëshmojë një autoriteti të huaj.
Masat gjithashtu u japin zyrtarëve të drejtën të ngrijnë llogaritë bankare të njerëzve, si dhe t’i pengojnë ata të shesin pasuri të paluajtshme, si apartamente apo shtëpi pushimi, madje edhe t’ua transferojnë pronësinë të afërmve të tyre.
“Luftë ndaj qytetarëve të vet”
Ligji u jep zyrtarëve autorizim që të hapin llogari bankare në emër të një personi që thonë se ka shkelur ligjet dhe më pas ta menaxhojnë atë llogari në mënyrë efektive: të marrin, për shembull, fondet nga pensioni shtetëror që i takojnë shtetasit rus dhe të kryejnë pagesa për detyrime, sikurse gjobat e vendosura nga gjykata.
“Ky është vërtet një ligj për vdekjen civile”, tha Lokshina, punëdhënësi i së cilës, Human Rights Watch, u shpall organizatë e padëshirueshme vitin e kaluar. “Nëse nuk e mbyllni gojën, por flisni hapur, herët a vonë do të ndiqeni penalisht”.
Pasigurisë ligjore me të cilën përballen rusët në mërgim i shtohet edhe fakti se në shumë vende, brenda ose jashtë Bashkimit Evropian, autoritetet po e bëjnë më të vështirë për shtetasit rusë marrjen e dokumenteve si lejet e qëndrimit apo të punës, ose aplikimin për shtetësi.
“Për shumë prej tyre, ata gjithashtu nuk kanë asnjë mbështetje reale në vendet ku ndodhen. Njerëzit që përndiqen nga Qeveria ruse, në rastin më të mirë, përballen edhe me dyshime kolektive në vendet ku jetojnë”, tha Bogush.
Miratimi i këtij ligji vjen në një kohë kur Kremlini po përpiqet ta mbajë me intensitet të plotë luftën në Ukrainë, teksa njëkohësisht minimizon përmasat e humbjeve që kanë pësuar forcat ruse. Edhe ekonomia po shfaq shenja dobësimi, duke nxitur pakënaqësi.
Ekspertët e Kremlinit thonë se autoritetet janë gjithashtu të shqetësuara për zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm, në të cilat një fitore jo bindëse e kandidatëve të partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, do ta dobësonte narrativin e unitetit kombëtar.
“Putini nuk po e përshkallëzon vetëm luftën kundër Ukrainës, ai po e përshkallëzon edhe luftën kundër qytetarëve të tij”, tha Bogush.


