Një gjykatë në New Mexico ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë edhe 567 milionë dollarë dëmshpërblim për dështimin në paralajmërimin e publikut mbi rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët.
Vendimi përbën sanksionin më të madh të shqiptuar ndonjëherë ndaj kompanisë për çështje që lidhen me sigurinë e të miturve, raportoi “Reuters” të premten.
Gjykatësi Bryan Biedscheid e ka krahasuar ndikimin e Metas me ndotjen e ajrit. Sipas tij, mënyra se si funksionojnë platformat e kompanisë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme psikologjike dhe ka ekspozuar fëmijët ndaj shfrytëzimit seksual.
Kjo shumë i shtohet një gjobe të mëparshme prej 375 milionë dollarësh të vendosur në të njëjtën çështje, duke e çuar totalin e detyrimeve financiare të Metas në 942 milionë dollarë.
Në arsyetimin e vendimit, gjykatësi e krahasoi Metan me një fabrikë, ku reklamat dhe përmbajtja përbëjnë produktin, ndërsa dëmet psikologjike dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve janë “ndotja” që duhet eliminuar.
Padia ishte ngritur në vitin 2023 nga autoritetet e shtetit të New Mexicos, të cilat argumentuan se algoritmet e rekomandimit të Metas drejtonin përdoruesit e mitur drejt përmbajtjeve të dëmshme dhe kontakteve me persona që mund të përbënin rrezik.
Në fazën e parë të procesit gjyqësor, gjykata konstatoi se Meta kishte shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin për praktikat e padrejta tregtare të New Mexicos. Në fazën e dytë, gjykatësi vendosi se ndikimi i kompanisë kishte arritur nivelin e një problemi të shëndetit dhe sigurisë publike, duke e bërë Metan kompaninë e parë të rrjeteve sociale që shpallet ligjërisht “bezdi publike”.
Vendimi parashikon krijimin e një fondi të posaçëm për financimin e programeve të trajtimit dhe rehabilitimit të fëmijëve të prekur nga ndikimet e rrjeteve sociale.


