Ariana Grande ka sqaruar publikisht arsyet që e kanë shtyrë të tërhiqet përkohësisht nga jeta publike pas përfundimit të turneut të saj “Eternal Sunshine”, duke theksuar se vendimi nuk është marrë në mënyrë të nxituar.
Gjatë një koncerti në Çikago, artistja iu drejtua fansave për të qetësuar spekulimet që kanë qarkulluar së fundmi në rrjet.
Dua që ta dish se shumë gjëra mund të jenë të vërteta në të njëjtën kohë
-tha ajo, duke shtuar se vendimin për të bërë një pauzë e kishte marrë shumë kohë më parë dhe jo si reagim ndaj zhvillimeve të fundit.
Deklarata e saj erdhi vetëm një ditë pasi producentët e muzikalit “Sunday in the Park With George”, me muzikë nga Stephen Sondheim, njoftuan se Grande ishte tërhequr nga produksioni që pritet të ketë premierën në Teatrin Barbican të Londrës në vitin 2027.
Në javët e fundit, emri i këngëtares ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të ndarjes së saj nga bashkëylli i filmit “Wicked”, Ethan Slater, turneut botëror që po zhvillon dhe publikimit të albumit të ri “Petal”. Paralelisht, në rrjetet sociale janë shtuar komentet dhe spekulimet për gjendjen e saj shëndetësore dhe pamjen fizike.
Sipas revistës “People”, menaxheri i artistes ka bërë të ditur se prioriteti i saj është ta përfundojë turneun në gjendje të mirë fizike dhe emocionale, për t’i dhënë më pas vetes një pushim të merituar nga ritmi intensiv i angazhimeve dhe ekspozimi i vazhdueshëm publik.
Nga skena, Grande u shpreh se i kupton shqetësimet e fansave, por theksoi se komentet negative nuk ia kanë zbehur përvojën.
Duhet të vendosen kufij, qeniet njerëzore ndonjëherë kanë nevojë për një pushim dhe kjo mund të jetë dhe do të vazhdojë të jetë përvoja më e madhe e jetës sime profesionale dhe krijuese
-u shpreh ajo para publikut.
Turneu “Eternal Sunshine” do të mbyllet më 1 shtator në Londër, pas një serie prej 10 koncertesh në arenën O2.


