“The Devil Wears Prada 2” po dëshmon se suksesi i tij nuk përfundoi në sallat e kinemasë. Vazhdimi i shumëpritur i filmit ikonik ka nisur me ritme të jashtëzakonshme edhe në platformat e transmetimit, duke u renditur mes debutimeve më të forta të Disney në vitet e fundit.
Vetëm gjatë pesë ditëve të para në Disney+ dhe Hulu, filmi regjistroi 15.2 milionë shikime në mbarë botën. Shifra është përllogaritur duke pjesëtuar kohën totale të transmetimit me kohëzgjatjen prej 119 minutash dhe e pozicionon filmin me Meryl Streep dhe Anne Hathaway si debutimin më të suksesshëm të një filmi artistik të Disney që nga “Deadpool & Wolverine”, i publikuar në vitin 2024.
Edhe pse Disney nuk ka bërë publik numrin e saktë të shikimeve të “Deadpool & Wolverine” gjatë pesë ditëve të para, kompania ka konfirmuar se filmi grumbulloi 19.4 milionë shikime në gjashtë ditë. Kjo do të thotë se diferenca reale mes dy produksioneve, nëse krahasohen vetëm pesë ditët e para të transmetimit, pritet të jetë dukshëm më e vogël se 4.2 milionë shikime.
Ashtu si “Deadpool & Wolverine”, edhe “The Devil Wears Prada 2” pati fillimisht premierën në kinema, përpara se të mbërrinte në platformat e transmetimit.
Filmi rezultoi një sukses i madh edhe në arkat e kinemave, duke arkëtuar 220.6 milionë dollarë në SHBA dhe plot 691.4 milionë dollarë në të gjithë botën, ndërsa buxheti i tij ishte rreth 100 milionë dollarë.
Ekspertët e industrisë e konsiderojnë veçanërisht mbresëlënës faktin që filmi vazhdon të tërheqë një audiencë kaq të madhe edhe më shumë se dy muaj pas daljes në kinema. Kjo tregon se interesi i publikut mbetet i lartë dhe se shumë shikues po rikthehen për ta parë sërish.
Përveç Meryl Streep dhe Anne Hathaway, në vazhdim rikthehen edhe Stanley Tucci dhe Emily Blunt me personazhet e tyre të njohur. Kastit i janë bashkuar gjithashtu Justin Theroux, Lucy Liu, Kenneth Branagh, Simone Ashley, BJ Novak dhe emra të tjerë.
Edhe këtë herë, regjia mban firmën e David Frankel, ndërsa skenari është shkruar nga Aline Brosh McKenna. Filmi bazohet në personazhet e krijuar nga Lauren Weisberger në romanin e saj të vitit 2003, i frymëzuar nga përvoja personale si asistente e Anna Wintour në revistën Vogue.


