Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM) njofton se po monitoron vazhdimisht situatën energjetike në rajon dhe Evropë, si dhe treguesit hidrologjikë në vend.
Sipas të dhënave aktuale, gjendja në Maqedoninë e Veriut është stabile dhe për momentin nuk ka indikacione se niveli i ulët i ujërave në Evropë paraqet rrezik për sigurinë e prodhimit vendor të energjisë elektrike.
Nga Ministria bëjnë të ditur se, së bashku me SHA ESM, SHA MEPSO dhe institucionet e tjera kompetente, monitorojnë rregullisht parametrat hidrologjikë, rezervat në dispozicion dhe parashikimet, me qëllim që të ndërmerren në kohë të gjitha masat e nevojshme nëse kushtet ndryshojnë.
“Gjendja e akumulacioneve është stabile dhe mundëson menaxhim të sigurt të potencialit hidroenergjetik vendas. Rezervuarët janë të mbushur rreth 70 për qind, çka mundëson përmbushjen e nevojave aktuale në përputhje me prodhimin e planifikuar. Hidrocentralet vazhdojnë të sigurojnë edhe shërbimet sistemore të domosdoshme për ruajtjen e stabilitetit të rrjetit elektroenergjetik”, thuhet në njoftim.


