Këngëtarja amerikane Katy Perry dhe partneri i saj, ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau, kanë zgjedhur Ballkanin si destinacionin e radhës të pushimeve, duke mbërritur në Kotor pasi kaluan disa ditë në Saint-Tropez.
Pavarësisht përpjekjes për të mos tërhequr vëmendje, artistja u dallua nga kalimtarët. Ajo kishte mbuluar pjesërisht fytyrën me një shall dhe mbante syze dielli, por prania e saj nuk kaloi pa u vënë re. Pamjet e çiftit u publikuan në rrjetet sociale nga faqja “Podgorica Time Machine” dhe u përhapën me shpejtësi.

Reagimet e ndjekësve nuk munguan. “Nuk ka asgjë për të fshehur. Askush nuk do ta njihte, realisht”, “Jemi bërë një destinacion i preferuar. Nuk kalon asnjë ditë që Vučko të mos na përmendë”, “Mirë që e kapa foton”, ishin disa nga komentet e publikuara në Instagram.

Pak ditë më parë, Perry dhe Trudeau u fotografuan së bashku edhe në Saint-Tropez, duke vijuar të ushqejnë interesin e publikut për historinë e tyre të dashurisë.
Artistja ishte së fundmi edhe në Prishtinë, ku performoi në Festivalin Sunny Hill. Gjatë koncertit, ajo ngriti flamurin e Kosovës në skenë, një veprim që shkaktoi reagime të shumta në publik dhe në rrjetet sociale.
Spekulimet për një romancë mes Katy Perry dhe Justin Trudeau nisën në korrik të vitit 2025, pasi të dy u panë duke darkuar së bashku në Montreal. Më vonë, në fund të vitit, ata e konfirmuan lidhjen duke publikuar një fotografi të përbashkët në rrjetet sociale.
Katy Perry i dha fund më herët fejesës me Orlando Bloom, ndërsa Justin Trudeau u divorcua nga Sophie Gregoire Trudeau në vitin 2023.


