Hilaria Baldwin ka vendosur t’u japë fund spekulimeve që kanë shoqëruar prej vitesh martesën e saj me Alec Baldwin, duke mohuar kategorikisht pretendimet se lidhja e tyre është ndërtuar mbi interesin financiar.

Në një intervistë për “SiriusXM Radio”, ajo foli hapur për etiketimet që ka marrë ndër vite, duke pranuar se komentet e tilla e kanë lënduar, pasi nuk pasqyrojnë realitetin e marrëdhënies së tyre.

Hilaria zbuloi se në fillimet e romancës, Alec Baldwin përpiqej shpesh t’i bënte dhurata të shtrenjta, por ajo i refuzonte, pasi dëshironte të ishte e sigurt se lidhja mes tyre bazohej te ndjenjat dhe jo te fama apo pasuria e aktorit.

Ajo kujtoi se kur u njohën në vitin 2011, punonte si instruktore yoga në New York dhe bënte një jetë të thjeshtë, ndërsa Alec ishte tashmë një nga emrat më të njohur të Hollywood-it.
Sipas saj, ishte e rëndësishme që marrëdhënia të ndërtohej mbi besimin dhe dashurinë, përpara se të pranonte çdo lloj dhurate apo privilegji që vinte si pasojë e famës së partnerit.

Hilaria dhe Alec Baldwin kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë në vitin 2012 dhe sot janë prindër të shtatë fëmijëve: Carmen, Rafael, Leonardo, Romeo, Eduardo, Maria dhe Ilaria. Aktori ka gjithashtu vajzën Ireland nga martesa e tij e mëparshme me Kim Basinger.
Me humor, Hilaria iu përgjigj edhe akuzave se është me Alec vetëm për para.
Nëse dikush do të ishte në një martesë vetëm për përfitime financiare, me siguri nuk do të zgjidhte të rriste shtatë fëmijë. Kjo kërkon shumë përkushtim, energji dhe shpenzime
-u shpreh ajo.

Deklarata e saj ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës e kanë mbështetur, ndërsa të tjerë kanë rikthyer debatet që prej vitesh shoqërojnë marrëdhënien e çiftit.


