Më shumë se 150 emigrantë janë shpëtuar pasi varka që po përdornin për të kaluar Kanalin u përfshi nga flakët të martën në mëngjes, thanë autoritetet franceze.
Varka po përpiqej të kalonte në Mbretërinë e Bashkuar kur motori i saj u përfshi nga flakët, sipas prefekturës detare franceze të Kanalit dhe Detit të Veriut.
Ajo tha se 157 persona janë shpëtuar dhe po dërgohen në portin në Boulogne-sur-Mer. Nuk ka raportime për ndonjë person të plagosur ose të vrarë.
Kjo vjen vetëm një ditë pasi Kryeministri Andy Burnham u zotua se qeveria e tij do të jetë “e pamëshirshme” në frenimin e numrit të njerëzve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla.
Autoritetet franceze thanë se varka u largua nga Franca të hënën në mbrëmje, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë natës “pesë persona në bord të anijes kërkuan shpëtim… njerëzit e mbetur në bord refuzuan ndihmën e ofruar nga anijet patrulluese franceze”, tha prefektura detare franceze.
“Të vendosur për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar, emigrantët që kalonin Kanalin me varka të vogla refuzuan ndihmën e ofruar nga shërbimi francez i emergjencës, duke e pranuar atë vetëm në situata të emergjencës ekstreme”, tha ajo në një deklaratë.
Për shkak të “brishtësisë strukturore” të anijeve të përdorura për të kaluar Kanalin, tha se vendosën të mos ndërhyjnë më tej në atë fazë.


