Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojnë nesër një takim në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve shtetërore.
Lajmin për Ekonomia Online e konfirmoi zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
“Po, nesër në 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, tha Mustafa për Ekonomia Online
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza e refuzoi ftesën e Kurtit për takim, duke i shkruar në një letër se kanë vendosur të qëndrojnë në opozitë.
Kryetari i PDK-së shkroi se presin që LVV-ja dhe partitë e tjera të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve.
Kurti sot i dërgoi ftesë për takim edhe kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, i cili në një përgjigje në letër i tha kryeministrit në detyrë se nuk sheh “fare arsye” për takim me të.
Në një letër që Gjini ia dërgoi Kurtit si përgjigje ndaj ftesës për takim, ai shkruan se Aleanca nuk ka “kurrfarë interesi” për t’u bërë pjesë e qeverisë së re, ndërkaq shton se për themelimin e institucioneve mund të ndihmojnë, në rast se LVV-ja pranon gjashtë kërkesat e tyre.


