Transferimi i Mirlind Dakut te Spartaku i Moskës pritet të zyrtarizohet së shpejti, por sulmuesi kosovar po përballet me një situatë të pakëndshme ende pa e veshur fanellën e klubit rus.
Një pjesë e organizuar e tifozëve të Spartakut ka dalë publikisht kundër afrimit të tij, duke përdorur gjuhë fyese dhe mesazhe me përmbajtje të rëndë ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.
Pas ndarjes emocionale me Rubin Kazanin, ku Daku i dha fund aventurës së tij mes lotësh dhe falënderimeve, 27-vjeçari është shumë pranë nisjes së një kapitulli të ri në karrierë. Sipas raportimeve, ai ka arritur marrëveshje me Spartakun e Moskës dhe pritet të jetë përforcimi i radhës i klubit.
Megjithatë, jo të gjithë e kanë mirëpritur transferimin e tij. Grupi i tifozëve “Crazy North”, pjesë e organizuar e mbështetësve të Spartakut, publikoi në rrjetin social Telegram një deklaratë ku shpreh kundërshtimin e plotë ndaj transferimit të Dakut.
“E shprehim kundërshtimin tonë të plotë për transferimin e mundshëm të Mirlind Dakut në klubin tonë. Ne e mbështesim popullin vëlla serb dhe qëndrimi ynë ndaj ustashëve, si dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve, mbetet i pandryshuar”, thuhet në deklaratën e tyre.
Më tej, ata përdorën edhe një slogan fyes ndaj shqiptarëve, duke shkruar: “Fundërrina shqiptare jashtë!”.
Këto reagime krijojnë një atmosferë të tensionuar rreth transferimit të Dakut, i cili, nëse zyrtarizohet te Spartaku i Moskës, do ta nisë aventurën e re në një klimë jo të favorshme nga një pjesë e tifozërisë së klubit.


