GIZ Kosova dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK–KDWV) kanë nënshkruar një marrëveshje granti për të forcuar bashkëpunimin dhe për të promovuar mundësitë për investime në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
Sipas komunikatës për media, bashkëpunimi po realizohet në kuadër të projektit IKI “Mbështetje për Partneritetin për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik”, të zbatuar nga GIZ Kosova, transmeton Klankosova.tv.
“Marrëveshja u nënshkrua në zyrën e GIZ-së në Prishtinë nga Marianne Alker, Udhëheqëse e Ekipit të projektit IKI – Mbështetje për Partneritetin për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik, dhe Besnik Vasolli, Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK–KDWV)”.
Përmes këtij bashkëpunimi, GIZ dhe OEGJK–KDWV do të bëjnë bashkë investitorët gjermanë, institucionet kosovare, institucionet financiare dhe zhvilluesit e projekteve të energjisë së ripërtëritshme. Nisma, sipas njoftimit, do të ndihmojë në krijimin e lidhjeve më të fuqishme ndërmjet akterëve të përfshirë në zhvillimin, financimin dhe zbatimin e investimeve në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë.
Aktivitetet e planifikuara përfshijnë një forum investimesh, tryeza të rrumbullakëta me palët e interesit, ngjarje të rrjetëzimit dhe sesione të synuara për lidhjen e bizneseve. Këto formate do t’u ofrojnë palëve të interesit mundësi për shkëmbimin e informatave, identifikimin e fushave të mundshme të bashkëpunimit dhe zhvillimin e partneriteteve rreth mundësive konkrete për investime në energjinë e ripërtëritshme.
“Bashkëpunimi do t’u ofrojë gjithashtu investitorëve dhe zhvilluesve të projekteve informata praktike mbi kërkesat rregullatore, teknike dhe financiare që lidhen me investimet në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rritjes së dukshmërisë së projekteve të gatshme për investim dhe lidhjes së zhvilluesve të tyre me partnerë të mundshëm gjermanë dhe institucione financiare”.
“Kjo marrëveshje granti përfaqëson një hap të rëndësishëm në përkthimin e Partneritetit Kosovë–Gjermani për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik në bashkëpunim konkret me sektorin privat. Duke lidhur institucionet, investitorët, partnerët financiarë dhe zhvilluesit e projekteve, synojmë të ndihmojmë në krijimin e kushteve të nevojshme për investime të realizueshme në energjinë e ripërtëritshme dhe partneritete të qëndrueshme”, theksoi Marianne Alker, Udhëheqëse e Ekipit të projektit të GIZ-së.
Granti kontribuon në përpjekjet më të gjera në kuadër të Partneritetit Kosovë-Gjermani për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik për avancimin e zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme, forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat dhe mbështetjen e tranzicionit të Kosovës drejt një sistemi energjetik më të pastër dhe më të qëndrueshëm.


