Producenti dhe artisti amerikan Timbaland është përballur me një valë kritikash në rrjetet sociale pas disa performancave si DJ në festivale të ndryshme të mbajtura këtë verë në Evropë.
Videot nga eventet në Poloni dhe Francë janë shpërndarë gjerësisht në internet, ndërsa shumë përdorues kanë vënë në dyshim cilësinë e seteve të tij, duke i cilësuar si zhgënjyese.

Në pamjet virale, 52-vjeçari shihet pas tavolinës së DJ-së me pak ndërveprim teknik, ndërsa në disa momente dëgjohet vetëm duke nxitur publikun me thirrje të shkurtra, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet.
Sipas disa pjesëmarrësve, performancat e Timbaland përqendrohen kryesisht në riprodhimin e hiteve të njohura, shumë prej të cilave ai i ka prodhuar vetë gjatë karrierës, si edhe këngë ikonike të artistëve si Nirvana, Michael Jackson dhe The White Stripes.

Megjithatë, kritikat nuk lidhen me repertorin muzikor, por me mënyrën e prezantimit të tij. Shumë ndjekës pretendojnë se këngët ndërpriten papritur, kalimet mes tyre janë të çrregullta dhe muzika ndalet shpesh për t’i kërkuar publikut të brohorasë me thirrje si “Make some noise!”, apo për të promovuar markën e tij të pijeve alkoolike.
Reagimet në rrjetet sociale nuk kanë munguar.
“Ky është DJ set-i më i dobët që kam parë ndonjëherë”, shkroi një përdorues, ndërsa një tjetër ironizoi: “Duket sikur ka hapur një playlist në Spotify dhe e quan performancë.”
Pavarësisht kritikave, Timbaland mbetet një nga producentët më të suksesshëm në historinë e muzikës moderne, me një karrierë të gjatë dhe bashkëpunime me emra të mëdhenj të industrisë si Missy Elliott, Justin Timberlake, Nelly Furtado dhe Aaliyah.









