“Na rrihnin dhe na godisnin…”/ Shania Twain bën rrëfimin tronditës për fëmijërinë e saj!

featured

Shania Twain ka ndarë një nga dëshmitë më të dhimbshme të jetës së saj, duke folur hapur për dhunën që përjetoi gjatë fëmijërisë dhe traumën që, sipas saj, e shoqëroi për shumë vite.

Në një intervistë për podcastin “Wild Card me Rachel Martin”, ylli i muzikës country tregoi se u rrit në Ontario të Kanadasë në një familje ku konfliktet dhe dhuna ishin pjesë e përditshmërisë. Ajo kujtoi se së bashku me motrat e saj, Jill dhe Carrie Ann, ishte shpesh dëshmitare e përplasjeve të ashpra mes nënës së saj, Sharon, dhe njerkut, Jerry Twain.

Ata e donin njëri-tjetrin, por marrëdhënia e tyre ishte e mbushur me ulje-ngritje. Grindjet ishin të shpeshta dhe dhuna ishte gjithmonë e pranishme

-u shpreh këngëtarja.

E pyetur nëse dhuna ushtrohej edhe ndaj fëmijëve, Twain dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.

Po, edhe ndaj meje. Të dy prindërit ishin të ashpër. Na rrihnin shpesh dhe ndonjëherë na godisnin edhe me shqelma

-rrëfeu artistja.

Këngëtarja, emri i vërtetë i së cilës është Eilleen Edwards, tha se megjithatë dhuna më e rëndë ndodhte mes dy prindërve.

Ishte e tmerrshme. Nëna ime shpesh mbetej me mavijosje në fytyrë dhe i binin tufë flokësh. Kishte momente kur shtëpia dridhej nga zhurma e grindjeve. Ishte vërtet e frikshme

-kujtoi ajo.

Twain pranoi se përjetimet e asaj kohe lanë pasoja të thella emocionale.

Ishte një fëmijëri traumatike. Gjithçka dukej si një stuhi e pafundme, plot zhurmë dhe frikë

Artistja tregoi gjithashtu se nëna e saj kishte tentuar disa herë të largohej nga bashkëshorti, por përfundonte duke u rikthyer.

Ne largoheshim me të, por ai na gjente gjithmonë ose ajo dorëzohej dhe kthehej. Ishte një rreth vicioz nga i cili dukej e pamundur të dilje

-u shpreh këngëtarja.

Në vitin 1987, kur Shania ishte vetëm 22 vjeçe dhe karriera e saj muzikore sapo kishte nisur, nëna dhe njerku humbën jetën në një aksident automobilistik.

Artistja ka folur edhe më parë për këtë periudhë në autobiografinë e saj “From This Moment”, botuar në vitin 2011, ku rrëfen se njerku e kishte abuzuar fizikisht dhe emocionalisht për vite me radhë, ndërsa ajo kishte qenë dëshmitare e vazhdueshme e dhunës ndaj nënës së saj.

Ajo kujtoi edhe një incident kur u përpoq ta mbronte të ëmën duke goditur njerkun me një karrige, por ai reagoi duke e goditur në nofull.

Në intervista të mëhershme, Twain ka deklaruar gjithashtu se ishte viktimë e abuzimit seksual që në moshën 10-vjeçare.

Duke reflektuar mbi atë periudhë, ajo është shprehur se dhuna fizike, psikologjike dhe seksuale ishin të ndërthurura dhe se për shumë vite u përpoq t’i shtypte ato kujtime për të vazhduar jetën.

Sot, këngëtarja thotë se ka gjetur qetësi dhe se beson se komunikimi i hapur ka qenë një nga shtyllat kryesore të martesës së saj me Frédéric Thiébaud.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter

--°