Edicioni i dytë i spektaklit ‘Supernova’ është gati të sjellë një revolucion në botën e modeleve, duke u hapur për herë të parë për djemtë.
Sara Kolami, e ftuar në emisionin ‘Weekend’ në Klan Kosova, ndau detaje emocionuese rreth këtij edicioni, duke theksuar se interesimi nga aplikuesit ka qenë i jashtëzakonshëm. Ajo zbuloi se përveç vajzave modele, këtë vit do të përfshihen edhe djemtë, një hap që premton të sjellë freski dhe diversitet në spektakël.
“Ka pasur një numër të madh aplikimesh, dhe kjo na ka gëzuar shumë. Ne e dinim që do të kishte interes, por jo në këtë masë. Shtimi i djemve si pjesë e këtij edicioni është një përgjigje ndaj kërkesave të shumta që kemi marrë,” tha Kolami.
Ajo theksoi se ky ndryshim është i rëndësishëm për të krijuar hapësirë për të gjithë ata që dëshirojnë të provojnë fatin e tyre në botën e modelingut. “Kur ka kaq shumë kërkesa, është e domosdoshme të ofrosh mundësi për të gjithë. Ky është një element shumë interesant,” shtoi ajo.
Kolami gjithashtu shprehu besimin se ky edicion do të sjellë një dinamikë të re dhe do të bëjë spektaklin më tërheqës. “Është hera e parë që një emision me modele përfshin djem, dhe besoj se do t’i japim mundësi edhe atyre,” përfundoi ajo.
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:









