Opozitarja BDI akuzon Qeverinë se ka humbur grantin prej 60.77 milionë euro nga fondet e pakthyeshme të Bashkimit Europian të destinuara për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorin 8, pjesës hekurudhore drejt Bullgarisë.
“Sipas dokumenteve zyrtare të dorëzuara nga vetë Qeveria në Kuvend, këto fonde IPA nuk janë më të disponueshme sepse tenderi i shpallur në vitin 2024 është anuluar dhe kontrata për ndërtimin e seksionit të tretë të hekurudhës nuk është lidhur brenda afatit të caktuar”, tha Bekim Rexhepi, BDI/ ish-zv/minisër për Transport dhe Lidhje.
Edhe ish-ministri i jashtëm Bujar Osmani reagoi dje, duke paralajmëruar se humbja e këtyre mjeteve dëmton interesat strategjike të NATO-s dhe i shërben ndikimit rus në rajon.
Ndaj akuzave të integristëve u kundërpërgjigj zëvendësministrja e transportit, nga radhët e VLEN-it, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e cila pikërisht dje njoftoi se grupi i përbashkët i punës mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë ka arritur marrëveshje për aktivitetet, afatet dhe hapat e ardhshëm për realizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8.
“Vetëm pak orë pasi në Sofje u konfirmuan hapat konkretë për realizimin e hekurudhës me Bullgarinë në kuadër të Korridorit VIII, Bujar Osmani zgjodhi edhe një herë të manipulojë opinionin. Faktet janë të qarta: projekti po ecën përpara, për fazën e tretë tashmë janë siguruar 149 milionë euro grant, ndërsa po koordinohen hapat e fundit me palën bullgare dhe partnerët evropianë për realizimin e tunelit ndërkufitar”, theksoi Zekolli.
Zekolli po ashtu shtoi se se ata që kanë lënë pas një projekt të papërfunduar nuk kanë kredibilitet të kritikojnë, duke theksuar se hekurudha me Bullgarinë do të realizohet dhe se faktet do të triumfojnë mbi akuzat.
Por edhe pas kësaj, Osmani iu kundërpërgjigj duke thënë se, pavarësisht dallimeve politike, nuk ka pritur fyerje dhe nervozizëm nga Zekolli, duke shtuar se një gjë mund ta priste nga të tjerët përreth saj. Më tej, Osmani shkruan se grupet e punës Maqedoni-Bullgari, të nisura më herët, humbën vazhdimësinë me ardhjen e qeverisë aktuale, duke akuzuar ministrin Aleksandar Nikollovski se përmes veprimeve politike ka tentuar të ridrejtojë fokusin nga Korridori 8 drejt Korridorit 10.









