Një studim i kryer në Britaninë e Madhe, sugjeron se qentë reagojnë emocionalisht ndaj shprehjeve të dashurisë nga pronarët e tyre.
Sipas rezultateve, ritmi i zemrës së tyre rritet mesatarisht me 46% kur dëgjojnë fjalët “Të dua”, ndërsa bie me rreth 23% gjatë përqafimeve dhe përkëdheljeve, duke treguar një gjendje qetësie dhe sigurie.
Studimi u realizua nga kompania britanike “Canine Cottages”, e cila monitoroi katër qen për një javë, duke përdorur pajisje të posaçme për matjen e ritmit të zemrës, gjatë ndërveprimeve të ndryshme me pronarët e tyre.
Gjatë eksperimentit, qentë kishin një ritëm mesatar të zemrës prej 67 rrahjesh në minutë në gjendje qetësie.
Kur pronarët u thoshin “Të dua”, ritmi i zemrës rritej mesatarisht në 98 rrahje në minutë, një shenjë e qartë e emocionit dhe entuziazmit.
Në të kundërt, gjatë përkëdheljeve dhe përqafimeve, ritmi i zemrës binte në rreth 52 rrahje në minutë, duke treguar relaksim dhe ndjenjë sigurie.
Studiuesit theksojnë se qentë nuk reagojnë domosdoshmërisht ndaj kuptimit të fjalëve, por ndaj tonit të zërit, intonacionit, sjelljes së pronarit dhe lidhjes emocionale, që kanë krijuar me të.
Kjo shpjegon pse shprehjet e dashurisë dhe kontakti fizik mund të shkaktojnë reagime të forta fiziologjike.
Megjithatë, autorët pranojnë se studimi ka kufizime të rëndësishme, pasi u krye vetëm me katër qen dhe nuk është publikuar në një revistë shkencore.
Për këtë arsye, rezultatet duhen parë si vëzhgime paraprake dhe jo si prova përfundimtare shkencore.
Sidoqoftë, gjetjet përputhen me kërkime të tjera, që tregojnë se qentë krijojnë lidhje të forta emocionale me njerëzit dhe se ndërveprimet pozitive me pronarët, ndikojnë në mirëqenien dhe reagimet e tyre fiziologjike.



